Presidencialet e 2028-ës, Raporti: Trump u thotë donatorëve se sheh JD Vance si pasardhës

Presidenti amerikan Donald Trump duket se ka dhënë sinjalin më të qartë deri tani për pasardhësin që dëshiron në Shtëpinë e Bardhë. Sipas një raporti të gazetës The Washington Post, ai u ka thënë privatisht donatorëve se synon të mbështesë zëvendëspresidentin JD Vance në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Gjatë një takimi në Zyrën Ovale, Trump është shprehur se, në fund të ditës, duhet të zgjidhet JD Vance.
Ky qëndrim ndryshon nga deklaratat e mëparshme publike, ku ai shmangte të favorizonte mes Vance dhe sekretarit të Shtetit Marco Rubio. Edhe pse para donatorëve u shfaq në krah të Vance, Trump vazhdon të kërkojë mendimin e këshilltarëve për të dy politikanët. Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, ai i ka pyetur bashkëpunëtorët edhe gjatë një udhëtimi me helikopterin presidencial Marine One se cili prej tyre do të ishte zgjedhja më e mirë.
Një këshilltar pohon se Trump e sheh privatisht Vance si drejtuesin e ardhshëm të Partisë Republikane, por thekson se është ende herët për një mbështetje publike. Ndërkohë, disa aleatë të presidentit thonë se nuk ka ende një vendim përfundimtar dhe kujtojnë se Trump shpesh ndryshon qëndrim për çështje të tilla.
Një zyrtar u shpreh se kush mendon se kjo garë është mbyllur, nuk e njeh mjaftueshëm mënyrën se si vepron presidenti. Nga ana tjetër, JD Vance nuk ka shpallur ende planet për vitin 2028, ndërsa mbetet e paqartë edhe nëse Marco Rubio do të pranonte të ishte pjesë e një dysheje zgjedhore me të.