Mosnjohja e Kosovës nga Zelensky, Pandeli Majko kthehet pas në kohë: Ukrainasit dhe shqiptarët janë miq lufte e jo pr*stituta paqeje (REAGIMI)

Deklarata e presidentit ukrainas Vlodymyr Zelensky i cili u shpreh se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrim për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, është pasuar me një sërë reagimesh në rrjet nga figura të njohura të politikës, përfshirë këtu dhe shqiptarët.
Për këtë situatë ka reaguar dhe ish-kryeministri shqiptar gjatë luftës së Kosovës, Pandeli Majko, i cili shkruan i bindur se pavarësisht deklaratave të fundit, ukrainasit i njohin shqiptarët si aleatë të tyre. Ndërsa shton se miqësia mes ukrainasve dhe shqiptarëve nuk përcaktohet nga ato që ai i quan protokolle dipomacie.
“Pavarësisht deklarimit “konservativ” të Presidentit Zelenski në Beograd, në vizitën e tij të fundit, jam i bindur se ukrainasit i kanë parë dhe i shohin shqiptarët si aleatët e tyre! Miqësia dhe aleanca e shqiptarëve me ukrainasit nuk përcaktohet nga “protokollet e diplomacisë”! Kjo miqësi ndërlidhet me diasporën e vjetër shqiptare e cila ka pasur dëshmorët e vet për mbrojtjen e Ukrainës! Ajo vazhdon, sot, me vullnetarët shqiptarë me uniformë në krah të ushtrisë ukrainase!” shkruan Pandeli Majko përbri fotos së postuar mesditën e kësaj të hëne, e cila është realizuar në parlamentin e Ukrainës në përvjetorin e agresionit rus.
Në përmbyllje të reagimit të tij Majko shkruan se miq të tij ukrainas e kanë kontaktuar duke iu shprehur atij se janë miq lufte dhe jo prostituta paqeje.
Në lidhje me deklaratat e Zelenskyt ka reaguar dhe kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko.
Në një prononcim të bërë për Radio Evropa e Lirë, Merezhko ka deklaruar se argumentet kundër njohjes lidhen kryesisht me frikën se Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent për pushtimin e territoreve ukrainase, me mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe, deri diku, me municionin serb që përfundon në Ukrainë.
Reagimi i Pandeli Majkos:
Kjo është një foto në parlamentin e Ukrainës në përvjetorin e agresionit rus!
Ajo është një foto e realizuar nga salla, për të treguar kënaqësinë me të cilën u prit flamuri shqiptar nga të pranishmit!
Nuk kishte shumë delegacione të huaja pasi kishin qarkulluar lajme se mund të goditej, në këtë ditë, godina e parlamentit në Kiev!
Pavarësisht deklarimit “konservativ” të Presidentit Zelenski në Beograd, në vizitën e tij të fundit, jam i bindur se ukrainasit i kanë parë dhe i shohin shqiptarët si aleatët e tyre!
Miqësia dhe aleanca e shqiptarëve me ukrainasit nuk përcaktohet nga “protokollet e diplomacisë”!
Kjo miqësi ndërlidhet me diasporën e vjetër shqiptare e cila ka pasur dëshmorët e vet për mbrojtjen e Ukrainës! Ajo vazhdon, sot, me vullnetarët shqiptarë me uniformë në krah të ushtrisë ukrainase!
Lufta, për shqiptarët, i ndan miqtë nga armiqtë!
Diplomacia është quajtur me të drejtë arti i “gënjeshtrës” për arsye shtetërore!
Miqtë i mi ukrainas më kanë komunikuar të shqetësuar për ngjarjen e fundit! “Jemi miq lufte, jo prostituta paqeje” ishte shprehja që pëlqeva më shumë, në anglishten me aksentin ukrainas!…Sigurisht!