Aktivistja turke kërkoi lirinë, Apeli i Tiranës e lë në qeli dhe i hap rrugën ekstradimit të kundërshtares së Erdogan: Mund të largohet në Francë!

Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasen turke Julide Yazici, 32 vjeçe, e cila u ndalua pak ditë më parë në aeroportin e Rinasit, pasi rezultonte e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankaraja.

Gjatë seancës, avokati i 32-vjeçares ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë me “arrest në shtëpi”, por kërkesa nuk është pranuar nga gjykata. Yazici ka deklaruar se është kundërshtare e Erdogan dhe po u ekstradua ka frikë se do i kërcënojnë jetën.

Sipas gjykatës, fakti që Yazici ka status azili në Francë krijon rrezik që ajo të largohet nga Shqipëria, duke bërë që masa “arrest në burg” të konsiderohet e nevojshme për të garantuar qëndrimin e saj në dispozicion të autoriteteve.

Kjo masë i jep kohë autoriteteve turke që të kërkojnë ekstradimin, të cilin mësuesja turke e kundërshton.

Yazici, me profesion mësuese, është dënuar nga drejtësia turke me 4 vite burgim për veprat penale “dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrje në organizatë terroriste”.

Nga dënimi i dhënë nga gjykata turke, 32-vjeçares i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burgim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT