Zjarri përfshin pyllin pranë Parisit, vala e të nxehtit godet Europën, 13 viktima në Spanjë

Një zjarr i madh pyjor përfshiu të hënën pyllin historik të Fontainebleau, pranë Parisit, duke detyruar autoritetet franceze të mbyllin autostradën A6 dhe të angazhojnë avionë për shuarjen e flakëve. Ndërkohë, në Spanjë, bilanci i viktimave nga një prej zjarreve më shkatërruese të viteve të fundit është rritur në 13, ndërsa 10 persona rezultojnë ende të zhdukur, raporton Reuters.

Europa Perëndimore po përballet me valën e tretë të të nxehtit këtë verë, me temperatura ekstreme dhe bimësi të tharë që kanë favorizuar përhapjen e zjarreve në Francë, Spanjë dhe vende të tjera të Mesdheut. Shumica e shkencëtarëve e lidhin intensifikimin e këtyre fenomeneve me ndryshimet klimatike.

Në Francë, qindra zjarrfikës u angazhuan për të vënë nën kontroll flakët që shpërthyen pranë autostradës, në zonën e Fontainebleau, ku ndodhet edhe pallati mbretëror me të njëjtin emër. Zjarri shkaktoi gjithashtu ndërprerje të përkohshme të linjave të trenave me shpejtësi të lartë.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deklaroi se ekzistojnë dyshime të forta se zjarri mund të jetë vendosur qëllimisht.

“Kishte rreth dhjetë vatra zjarri brenda një rrezeje prej 1 000 metrash, gjë që sugjeron se ai mund të jetë shkaktuar me dashje,” tha Nuñez.

Rreth 26 milionë banorë në Francë ndodhen nën alarm të kuq për temperaturat e larta, përfshirë rajonin e Parisit, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vijojë deri në mesin e javës.

Edhe Italia pritet të goditet nga një valë e re e të nxehtit, me temperatura që në Sardenjë mund të arrijnë 42-43 gradë Celsius dhe me net tropikale për shkak të lagështisë së lartë.

Në Spanjë, zjarri shkatërrues në provincën Almeria ka marrë 13 jetë njerëzish, pasi një 93-vjeçare britanike humbi jetën nga djegiet. Autoritetet bëjnë të ditur se 10 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Ndërkohë, të dhënat e publikuara nga rrjeti europian EuroMOMO tregojnë se vala rekord e të nxehtit në fund të muajit qershor shkaktoi rreth 10 650 vdekje mbi mesataren në Europë. Mbi 9 000 prej tyre ishin persona mbi moshën 65 vjeç.

Një studim i publikuar në Britaninë e Madhe vlerëson se vetëm në Angli dhe Uells rreth 2 700 persona humbën jetën për shkaqe të lidhura me temperaturat ekstreme gjatë muajve maj dhe qershor. Sipas studiuesve, 42% e këtyre vdekjeve lidhen drejtpërdrejt me ngrohjen globale.

Mjeku Lasse Vestergaard, nga Instituti Statens Serum në Danimarkë, tha se shifrat janë të pazakonta.

“Është e vështirë të shpjegohet kjo vdekshmëri e lartë me diçka tjetër përveç vapës ekstreme,” u shpreh ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se Europa mund të përballet me javë edhe më vdekjeprurëse, ndërsa valë të reja të të nxehtit pritet të formohen mbi Oqeanin Atlantik.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT