Tuneli i Llogarasë vijon të jetë falas, pavarësisht paralajmërimeve për tarifimin nga qershori

Edhe gjatë këtij sezoni turistik, Tuneli i Llogarasë vijon të jetë pa pagesë, megjithëse më herët ishte përfolur se tarifa për përdorimin e tij do të niste të aplikohej në fillim të muajit qershor.
Ditën e sotme, në pikën e kalimit të tunelit është konstatuar se automjetet vazhdojnë të kalojnë lirshëm, pa kryer asnjë pagesë. Drejtuesit e mjeteve vetëm regjistrohen nga kamerat e vendosura në traun e pikës së pagesës dhe më pas vijojnë udhëtimin e tyre.
Në pikën e pagesës janë të pranishme edhe stafet përkatëse, të cilat janë të gatshme për funksionimin e sistemit të tarifimit, por sipas informacioneve të siguruara, ende nuk ka një datë zyrtare se kur do të nisë aplikimi i tarifës për përdorimin e Tunelit të Llogarasë.
Për momentin, ky mbetet një lajm i mirë për qytetarët dhe pushuesit, të cilët të paktën deri tani mund të kalojnë falas në Tunelin e Llogarasë gjatë këtij sezoni veror.