“Tre zyrtarë të nivelit të lartë në Aruba”, Berisha pas daljes nga SPAK: Në korridore pashë dengje me narko-euro

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha për gazetarët pas daljes nga SPAK se institucioni ishte i mbushur me para që, sipas tij, vinin nga trafiku i drogës.
“Në korridoret e SPAK-ut gjeta dengje të mëdha narko-eurosh. Kishte një dyndje me thasë saqë mezi kalova korridorin. Arka dhe thasë, thasë dhe arka plot e përplot me narko-euro. Me një fjalë, institucioni ishte tërësisht i pushtuar nga paratë e drogës”, deklaroi Berisha.
Më tej, lideri demokrat lidhi pretendimet e tij me një çështje që ka ngritur edhe më herët publikisht, duke thënë se prej të paktën një viti mbahen sekret emrat e disa zyrtarëve të lartë që, sipas tij, kanë udhëtuar me një fluturim çarter drejt Arubës.
“Prandaj dhe prej të paktën një viti mbahen sekret emrat e dy apo tre zyrtarëve të nivelit më të lartë që udhëtuan bashkë me biznesmenët me një çarter të veçantë nga Tirana në Aruba”, u shpreh ai.
Berisha shtoi gjithashtu se në ambientet e SPAK-ut kishte parë edhe gjyqtarë kushtetues, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi këtë pretendim.