Sot Konferenca e IX Ndërqeveritare, mesazhi i ministrit Hoxha: Pasqyrë e punës së palodhur

Sot në 14 korrik do të mbahet Konferenca e IX Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ku vendi ynë do të mbyllë tre kapituj për anëtarësimin në union. Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale ka publikuar datat kyçe të rrugëtimit të Shqipërisë drejt integrimit në BE.

Ministri Hoxha kujton se më 14 tetor 2024, Shqipëria nuk kishte hapur asnjë kapitull negociues. Shton se më 17 nëntor 2025, Shqipëria arriti që të hapë 33 kapituj negociues.

Hoxha thotë më tej se në 26 maj 2026, Shqipëria u bë vendi i parë negociues që arriti IBAR-in, sipas metodologjisë së re. Ndërsa, sot në 14 korrik 2026, vendi ynë hyn në fazën finale të negociatave duke mbyllur edhe tre kapitujt e parë, që kanë të bëjnë me kërkimin shkencor, arsimin dhe marrëdhëniet me jashtë.

Ministri thotë se ata që duken si data në një afat kohor, janë në fakt data historike, që pasqyrojnë një transformim të jashtëzakonshëm, si rezultat i punës së palodhur, profesionalizmit institucional dhe vullnetit të fortë politik.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Disa data kyçe që tregojnë historinë mbresëlënëse të një udhëtimi të jashtëzakonshëm:

14 tetor 2024 – Shqipëria nuk kishte hapur asnjë kapitull negociues.

17 nëntor 2025 – Shqipëria kishte hapur të 33 kapitujt negociues.

26 maj 2026 – Shqipëria u bë vendi i parë negociues që arriti #IBAR sipas metodologjisë së re.

14 korrik 2026 – Shqipëria hyn në fazën përfundimtare të negociatave duke mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë:

Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor

Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura

Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë

Ato që duken si data në një afat kohor janë në fakt momente historike që pasqyrojnë një transformim të jashtëzakonshëm, rezultat i punës së palodhur, angazhimit të vërtetë dhe të vazhdueshëm institucional, vendosmërisë së fortë dhe vullnetit të palëkundur politik.

Kur ambicia përputhet me rezultatin, progresi bëhet i mundur, i dukshëm, i matshëm, real.

“Muri i zgjerimit” po ndryshon përsëri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT