Shtyhet gjyqi për masakrën e Reçakut, ja çfarë ndodhi në seancën e parë

Seanca e parë gjyqësore ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut është shtyrë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shkak të problemeve procedurale. Gjykata bëri të ditur se disa avokatë nuk ishin pajisur me shkresat e lëndës, ndërsa për katër të akuzuar mungonin edhe mbrojtësit ligjorë.
Të pandehurit, të cilët po gjykohen në mungesë, akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile, përfshirë vrasjen e 42 civilëve në Reçak më 15 janar 1999.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën ndaj tyre në fund të vitit 2025, duke përshkruar vrasje, trajtim çnjerëzor, dëbime dhe shkatërrim të pronës civile. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 31 korrik.