Përplasja për Avokatin e Popullit/ Shtyhet seanca për të enjten, Peleshi: S’mund të bllokosh Kuvendin se s’të pëlqen dikush

Duke iu drejtuar Gazment Bardhit se s’mund të bllokohet seanca për shkak se opozitës nuk i pëlqen dikush (në këtë rast, Avokati i Popullit), Niko Peleshi hodhi në votim propozimin e Taulant Ballës për të shtyrë pikat e seancës ditën e enjte.

“Rendin e ditës e shpall kryetari i Kuvendit, nuk mund të vendosim pas 7 orësh si do ta bëjmë aq më keq në presionin e bllokimit fizik të foltores. Nuk i vlen askujt. Si mund të bllokosh Kuvendin se nuk të pëlqen dikush? Ju thoni është antikushtetues se e shpall unë, të ligjshëm a të paligjshëm e shpallin gjykatat. Nëse do të ishte pranuar nga GJK do ta zbatonim, unë i pari dhe gjithë të tjerët. S’kemi vendim pezullimi, kur të shqyrtohet do të respektohet vendimi i GJK. Këto janë mendime personale apo të një grupi të caktuar. Rendi i ditës nuk mund të ndryshojë gjatë ditës së seancës vetëm sepse kemi bllokim fizik të foltores, do të ishte fundi i parlamentarizmit. Ju e Balla s’keni asnjë tagër të vendosni rendin e ditës të seancës pasardhëse. Keni të drejtë të propozoni, marr si të bazuar në rregulloren propozimin e Ballës për shtyrjen e pikave të kësaj seance ditën e enjte. Jam i detyruar ta hedh në votim të hapur me karton”, tha Peleshi.

Shtyrja e seancës u miratua me 76 vota pro dhe 25 kundër.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi PS se po përpiqet që të prishë seancën e sotme plenare, si edhe atë të 23 korrikut.

“Nuk e kuptoj logjikën e propozimit të bërë, se renditja është ndryshe nga ajo e kryetarit të Kuvendit. Nëse bie dakord që të ndërrojmë rendin e ditës, ta vazhdojmë seancën tani. Kanë ardhur për të raportuar, ti dëgjojmë dhe të vazhdojmë diskutimin me institucionet e tjera. Një individ nuk mund të marrë peng institucionin se doni ju. Zotëria nuk mund të vijë të raportojë në seancë plenare, herën e fundit ka fyer deputetët e opozitës. Një njeri që vjen dhe shkel edhe aktin e betimit, të vijë të raportojë sikur s’ka ndodhur asgjë. Ne po themi këtë institucion nuk duam të raportojë. Nisim sipas rendit të ditës me raportimin e KLGJ. Zotëria që e quani Avokat të Partisë, në çdo rast nuk do të raportojë në Kuvend. Doni të prishni edhe këtë seancë, edhe seancën tjetër duke provokuar opozitën”, tha Bardhi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT