Avokatët paralajmërojnë bojkot, reagon Dhoma e Avokatisë: Gjobat janë të padrejta, do i drejtohemi KLGJ-së

Kreu i Dhomës së Avokatisë së kryeqytetit shprehet i shqetësuar për gjobitjen e avokatëve, që sipas tij po diskriminohen.
Dhoma e Avokatisë paralajmëron se do të thërrasë mbledhje urgjente për këtë situatë e po ashtu, me nisjen e sezonit gjyqësor në shtator, do të bëhen gati për bojkotime.
“Konstatoj me shqetësim dhe, në fakt, edhe ne do të mbajmë një qëndrim për sa i përket këtyre situatave abuzive, do të thoja, nga ana e gjykatave ndaj avokatit, sepse konstatojmë se na vijnë mjaft ankesa nga avokatët, të cilët ankohen për vendimmarrje arbitrare të gjykatave në përgjithësi, për sa i përket gjobitjes së tyre. Në rastin konkret, mendoj se do t’i drejtohemi KLGJ-së për të normalizuar edhe stabilizuar këtë situatë”, tha kreu i Dhomës së Avokatisë në Tiranë, Klodian Skënderaj.
Vetëm për Tiranën rezulton se janë gjobitur nga gjykatat me selinë në kryeqytet 40 mbrojtës, të cilët, sipas asaj që raportohet nga Dhoma e Avokatisë në Tiranë, kishin paraqitur kërkesën për shtyrje të seancave, për shkak se e kishin të pamundur, duke qenë se kishin gjykime të tjera.
“Avokatët janë detyruar të presin me orë pranë Gjykatës së Apelit, pra, po themi, një seancë e cila është caktuar të fillojë në orën 11 paradite mund të futet avokati në orën 16 pasdite. Normalisht e ka të pamundur të paraqitet pranë gjykatave të tjera”, tha kreu i Dhomës së Avokatisë në Tiranë, Klodian Skënderaj.
Mbrojtësit pretendojnë se janë gjobitur pa të drejtë nga trupat gjyqësore e për këtë arsye kanë njoftuar Dhomën e Avokatisë.
“Masa më ekstreme mund të shkojë edhe drejt bojkotit të seancave gjyqësore sepse e ritheksoj, është një problem i madh që ne na vjen nga komuniteti i avokatëve”, tha kreu i Dhomës së Avokatisë në Tiranë, Klodian Skënderaj.
Në rang vendi, numri i avokatëve të gjobitur është më i lartë.