“Shporrini partitë, Redi Muçi po tenton të prishë protestën”, PËRPLASJE dhe tensione para Kryeministrisë, protestuesit kërkojnë të largojnë politikanët

Tensione janë regjistruar në protestën e zhvilluar këtë të hënë përpara Kryeministrisë, ku pati përplasje verbale mes qytetarëve pjesëmarrës dhe përfaqësuesve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Një grup protestuesish u kërkuan përfaqësuesve të forcave politike të largoheshin nga tubimi, duke theksuar se protesta ishte qytetare dhe se nuk dëshironin praninë apo përfaqësimin e partive politike.

Gjatë protestës një qytetar mori fjalën përmes megafonit dhe akuzoi deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi se po cenonte mbarëvajtjen e tubimit.

“Redi Muçi po prish protestën”, dëgjohet të deklarojë ai para të pranishmëve.

Ndërkohë, protestuesit nisën të brohorisnin në kor slogane kundër përfshirjes së partive politike në tubim, duke thirrur: “Opozitë e shtirur”, “Shporrni partitë” dhe “Opozita jemi ne”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT