Rama: Hajdeni shqiponja, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar! A është Greqia “faktori i huaj” që nuk e do Zvërnecin?!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në llogaritë e tij për situatën e paprecedentë që është regjistruar në Zvërnec, duke u ndalur edhe tek mbulimi që mediat në Greqi po i bëjnë ngjarjes në Vlorë, nën aludimet se vendi fqinj nuk e do zhvillimin e vijës bregdetare.
Rama ndan një deklaratë të shkurtër të gazetarit shqiptar në Greqi, Etmond Guri, i cili thotë se në 35 vite të qëndrimit në vendin fqinj, kurrë nuk ka parë ka shumë mobilizim nga Greqia vetëm se u lëndua një shtetas grek.
“Eh vëllai im, po normal, sepse për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës. E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë Eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë.
Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës, nga 10 mijë vende pune cilësore, nga rritja e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me 4% deri në 2030, rritja e të ardhurave për frymë, rritja e pagave e pensioneve (si në Malin e Zi për shembull largqoftë), nga rritja e vlerës së pronës së çdo vlonjati e jo vetëm, nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës për bujqit, peshkatarët, shoferët e me radhë të gjithë subjektet e lidhura me atë zinxhir, nga personazhet botërore të artit, sportit, modës, biznesit, që do vinin e do flinin, disa edhe do blinin edhe shtëpi në Vlorë…”, shkruan Edi Rama.
Kryeministri ndalet edhe te imazhi ndërkombëtar i vendit dhe protesta që është njoftuar pasditen e sotme nën zyrën e tij në Tiranë, duke u thënë qytetarëve se mediat greke do të jenë aty, gati për t’i dhënë jehonë kësaj ngjarje.
“Po lëri këto, po pse pak është shpëtimi i Shqipërisë nga rritja e mëtejshme e imazhit ndërkombëtar, e cila edhe kaq edhe u teprua shumë, se në sytë e botës Shqipëria duhet të jetë mafie, korrupsion, llum.
Prandaj të gjithë shqiponjat në protestë sot, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar, dy zogj me një gur dmth”, përmbyllet reagimi i kryeministrit Edi Rama.