Nisin hetimet për helmimin e 64 kadetëve, flet administratorja e catering-ut: Çdo vakt është shpërndarë sipas kontratës

Policia ka nisur hetimet për rastin e helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, ndërsa po vijon marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Administratorja e kompanisë së cateringut Sori-Al ka dëshmuar para hetuesve se furnizimi me ushqim për studentët është kryer çdo ditë në përputhje me kontratën.

“Çdo vakt është gatuar dhe shpërndarë sipas procedurave standarde, duke respektuar kushtet e higjienës dhe sigurisë ushqimore”, ka dëshmuar ajo.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe kuzhinieri, stafi përgjegjës për ndarjen e ushqimit në porcione, punonjësit e shpërndarjes, si dhe studentët që kanë shfaqur probleme shëndetësore pas konsumimit të vakteve.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, deri në këtë fazë, nuk është vendosur ende asnjë person nën hetim.

Hetuesit janë duke administruar provat dhe dëshmitë, ndërsa pritet që Prokuroria të vendosë në vijim nëse do të ketë persona që do të mbajnë përgjegjësi penale për helmimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë.

Më herët edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pezulluar aktivitetin e kompanisë catering dhe do të mbetet e pezulluar deri në publikimin e rezultateve laboratorike, të cilat pritet të përcaktojnë nëse ushqimi ka qenë shkaku i problemeve shëndetësore të kursantëve.

Për të zbardhur shkaqet e dyshuara të helmimit, u morën 14 mostra ushqimore, përkatësisht 7 mostra nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës, të cilat u dërguan për analiza mikrobiologjike pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV). Përveç 14 mostrave të ushqimeve të gatuara, inspektorët morën edhe 5 mostra tampon nga ambientet, pajisjet dhe sipërfaqet e punës për të verifikuar nivelin e higjienës.

64 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar, rasti i dytë brenda pak muajve, çka ka ngritur shqetësime mbi kontrollin e sigurisë së ushqimit në institucion.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT