Emërimi si ambasador në Shqipëri, caktohet DATA kur Eric Wendt pritet që të marrë konfirmimin e Senatit në SHBA

Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin Amerikan pritet që të enjten, më 4 qershor, të mbajë një seancë vendimtare për kandidaturën e gjeneralit në pension Eric Wendt, i cili është nominuar nga presidenti amerikan për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në vendin tonë.

Wendt do të kërkojë besimin e senatorëve amerikanë për emërimin e tij në Shqipëri. Kjo seancë konsiderohet si hapi i fundit procedural për emërimin e gjeneralit si kryediplomat amerikan në vendin tonë.

Kujtojmë se, më 20 maj, Wendt, gjatë seancës dëgjimore në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, u pyet për rolin e SPAK-ut, investimet amerikane dhe bashkëpunimin strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Me mbi 34 vite shërbim aktiv, Wendt ka mbajtur një sërë pozicionesh të larta drejtuese, duke menaxhuar organizata komplekse me mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Përveç karrierës ushtarake, ai ka kontribuar edhe në diplomaci, duke shërbyer për dy vite në Departamentin Amerikan të Shtetit si pjesë e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem. Në këtë rol, ai drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.

Departamenti i Shtetit thekson se përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia për të menaxhuar struktura shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe njohja e thellë e rajonit evropian e bëjnë Wendt një kandidat shumë të kualifikuar për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Shqipëri.

Në aspektin akademik, Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, si dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Ai zotëron gjithashtu njohuri në gjuhën arabe dhe koreane.

Për kontributin e tij ndër vite, ai është vlerësuar me një sërë dekoratash dhe çmimesh prestigjioze, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT