Vendi në “shënjestër” të iranianëve, Shqipëria merr hapa konkrete, bëhet pjesë e Qendrës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike

Në një kohë kur bota po përballet gjithnjë e më shumë me kërcënime dhe sulme kibernetike, ndërsa edhe Shqipëria ka qenë disa herë objekt i sulmeve nga hakerë iranianë, vendi ynë ka hedhur një hap të rëndësishëm në forcimin e sigurisë digjitale dhe mbrojtjes kibernetike.
Shqipëria është bërë zyrtarisht pjesë e Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s, një nga strukturat më të rëndësishme të Aleancës Atlantike në fushën e mbrojtjes ndaj kërcënimeve digjitale.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Estoni, një nga vendet lider në botë për teknologjinë dhe sigurinë kibernetike. Përmes një reagimi publik, kreu i qeverisë shqiptare njoftoi se duke nisur nga dita e djeshme, Shqipëria është tashmë anëtare e kësaj qendre prestigjioze, e cila shërben si një platformë bashkëpunimi dhe ekspertize mes vendeve aleate të NATO-s.
“NGA DJE ANËTARË të Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s (NATO CCDCOE), një nga strukturat më të rëndësishme të Aleancës për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen ndaj kërcënimeve digjitale
Qendra përfaqëson një platformë bashkëpunimi dhe ekspertize mes vendeve aleate të NATO-s për zhvillimin e strategjive, trajnimeve dhe kapaciteteve në fushën e mbrojtjes kibernetike”, shkruan kreu i qeverisë.
Vlen të theksohet se ky zhvillim vjen në një moment delikat për sigurinë kibernetike në rajon dhe më gjerë. Edhe vendi ynë ka qenë jo pak herë pre e sulmeve të hakerave iranianë dhe këto sulme ndaj sistemeve shtetërore kanë nxjerrë në pah nevojën për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe fgorcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.