Salianji: PD në krizë të thellë, ka humbur boshtin ideologjik

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji tha se PD ndodhet në një krizë të thellë politike dhe organizative, duke theksuar se forca më e madhe opozitare ka humbur boshtin e saj ideologjik dhe është zhvendosur drejt një narrative që, sipas tij, bazohet te thashethemet dhe gjuha e urrejtjes.

Salianji u shpreh se në PD mungon meritokracia dhe se promovimi i figurave politike nuk bazohet te mbështetja apo kontributi i tyre, por te shërbimi ndaj kryetarit të partisë.

Ish-deputeti ngriti shqetësimin edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të PD, duke vlerësuar se kjo forcë politike duhet të rindërtojë raportet strategjike me partnerët perëndimorë, përfshirë SHBA, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“PD ka rrëshqitur në disa boshte, nuk ka bosht ideologjik, ka një narrativë thashethemesh. Është në gjuhë urrejtjeje, nuk ka meritokraci, ka shërbim ndaj kryetarit uzurpator. Kështu, më pak i votuari promovohet.

Marrëdhëniet strategjike me SHBA që Berisha nuk i ka, as me BE apo Mbretërinë e Bashkuar. PD duhet të ketë një marrëdhënie tjetër me drejtësinë, e mbështet apo jo, cilat janë pikat që duhen ndryshuar dhe nëse e mbështet, mos ta bëjë për interesa personale. PD duhet të përfshijë njerëz të rinj , duhet të imponohet që 40 për qind e listës të jenë të rinj. Nëse nuk ribëhet PD nga fillimi dhe rri në të njëjtën status quo, nuk fiton dot.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT