Rrëmbehet në mes të detit shqiptari që po transportonte ushqime, ushtarët izraelitë zbarkojnë nëpër anijet humanitare, çfarë tha Goxhaj për Ramën para arrestimit (E PLOTË)

Forcat izraelite kanë ndaluar ditën e sotme aktivistin shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhej në bordin e flotiljes humanitare “Global Sumud”, një mision ndërkombëtar i nisur drejt Gazës me qëllim dërgimin e ndihmave për popullsinë civile të prekur nga lufta.
Flotilja ishte nisur nga zona e Marmarisit në Turqi dhe përbëhej nga 54 anije me rreth 426 aktivistë nga 39 vende të botës. Sipas organizatorëve, misioni kishte për synim të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare mbi situatën e rëndë humanitare në Gaza dhe të dërgonte ndihma për civilët e mbetur nën bllokadë.
Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë deklaruar se nuk do të lejojnë asnjë shkelje të bllokadës detare ndaj Gazës, duke e konsideruar flotiljen një veprim provokues. Marina izraelite ndërhyri në Mesdheun lindor, ku sipas organizatorëve janë ndaluar të paktën 28 anije të flotiljes, ndërsa pjesa tjetër vazhdon lundrimin.
Pamjet e transmetuara nga bordi i anijeve tregojnë momentet kur anijet ushtarake izraelite afrohen pranë flotiljes dhe ushtarët hipin në disa prej mjeteve lundruese të ndaluara.
Mes personave të ndaluar ndodhet edhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, arrestimi i të cilit ka sjellë edhe reagimin e Ministrisë së Jashthme të vendit tonë. Përmes një reagimi ministria bën me dije se janë në dijeni të rastit dhe kanë nisur komunikimet me autoritetet izraelite përmes kanaleve diplomatike.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është vënë në dijeni për rastin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhet në bordin e flotiljes “Sumud”.
Përmes kanaleve diplomatike, Ministria është vënë prej momentit të parë në komunikim me autoritetet izraelite kompetente për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare.
Ministria po e ndjek çështjen me prioritet të plotë dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e zotit Goxhaj, si dhe do të informojë në vijim mbi procedurat e mëtejshme që pritet të ndërmerren”, thuhet në reagimin e bërë nga Ministria e Jashthme.
Pak orë para se të ndalohej nga forcat izraelite, Baki Goxhaj kishte publikuar një mesazh në rrjetet sociale nga bordi i anijes humanitare. Në reagimin e tij, ai fliste për rolin historik të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar atë si një nga faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë.
Goxhaj shprehej se kjo trashëgimi historike e bën Shqipërinë një vend që duhet të mbrojë popujt e shtypur dhe të qëndrojë kundër padrejtësive. Në postimin e tij, ai kritikonte gjithashtu qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj Izraelit dhe akuzonte autoritetet izraelite për dhunë të rëndë ndaj popullsisë civile në Gaza.
“Një nga faqet më të ndritura në historinë e Shqipërisë është mbrojta në bllok e hebrenjve kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çfarë i jep akoma më shumë peshë kësaj ngjarjeje është fakti që kjo ndodhi kur pothuajse të gjitha vendet europiane i mblodhën dhe i dorëzuan hebrenjtë e tyre tek nazistët.
Për mua si musliman shqiptar, kjo është në krye të listës së gjërave që më bëjnë krenar që jam shqiptar. Kjo vepër e mbajtjes së besës dhe njëkohësisht plotësimit të konceptit islam “kush shpëton një jetë është sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin”, do të jetë e pashlyeshme nga kujtesa historike e botës për shekuj me radhë.
Kjo vepër monumentale e paraardhësve tanë e bën Shqipërinë relevante në arenën ndërkombëtare kur vjen fjale për mbrojtjen e popujve të shtypur dhe korrigjimin e padrejtësive historike ndaj tyre. Për më tepër që ne i kemi hequr në kurriz padrejtësitë e shteteve të mëdha me copëtimin që u kanë bërë trojeve shqiptare.
Si popull i ngritur mbi këtë platformë historike, gjendemi sot para një realiteti absurd. Qeveria Rama ka zgjedhur ta injorojë gjithë trashëgiminë tonë historike dhe të bëhet bashkëpunëtore e ngushtë e regjimin famëkeq të Izraelit ndërkohë që ky regjim po kryen masakra të papërshkrueshme mbi një popullsi të tërë”, shkruante Goxhaj në reagimin e bërë disa orë para se të “rrëmbehej” nga izraelitët.