Rezoluta e kongresmenëve amerikanë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, presidenti serb “shpreson të mos ndodhë”

Kongresmenët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler kanë paraqitur dje një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se prania e saj në aleancë është thelbësore.
Sipas tyre, për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore. Rezoluta është mirëpritur nga zyrtarë në Kosovë, por gjithashtu është kundërshtuar nga Serbia.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shprehu “mirënjohje për përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”, shkruan REL.
Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, shkroi në X se ndihet mirënjohës ndaj kongresistëve për “mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në NATO”.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se do të luftojë kundër përpjekjeve për integrimin e Kosovës në NATO.
“Do të kemi së shpejti ushtrime të rëndësishme me NATO-n. Po bisedojmë me ta dhe shpresojmë që kjo të mos ndodhë”, tha Vuçiq lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës.