Orë të tëra në seli! Çfarë ndryshuan mbrëmë demokratët, nga përfshirja e grave më shumë në parti te “neni Basha” (E PLOTË-NDRYSHIMET NË STATUT)

Për orë të tëra demokratët u mblodhën në selinë blu, ku zhvilluan një nga mbledhjet më të gjata dhe më të diskutuara për ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike.

Pas debateve që zgjatën deri në mesnatë, Kryesia e PD miratoi tetë ndryshime të rëndësishme në “kushtetutën” e partisë, duke synuar riorganizimin e brendshëm dhe përshtatjen me sfidat politike të viteve të fundit.

Një nga çështjet që mori më shumë vëmendje ishte Neni 46 i statutit, i njohur ndryshe si “neni Basha”, i cili parashikon dorëheqjen e kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Pavarësisht diskutimeve dhe aludimeve për ndryshim, demokratët vendosën ta lënë të paprekur këtë nen. Kjo do të thotë se nëse Sali Berisha humbet edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2029, ai do të duhet të përballet sërish me këtë dispozitë statutore.

Po ashtu, edhe procesi i primareve, i cili kishte sjellë debate të shumta brenda partisë për efektivitetin dhe rezultatet e tij, nuk do të hiqet. Megjithatë, PD ka vendosur të vendosë një filtër të ri për kandidatët. Në statut do të shtohet një Komision Seleksionimi për kandidaturat e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, i cili do të funksionojë si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë. Ky komision do të vlerësojë kandidaturat përpara se ato të futen në procesin e primareve.

Sipas dokumentit të miratuar, qëllimi është që në garë të futen kandidaturat më përfaqësuese dhe më cilësore për komunitetin, duke përfshirë edhe opinione nga jashtë politikës aktive, në mënyrë që të krijohet një lidhje më e fortë mes partisë dhe shoqërisë.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me diasporën shqiptare. Për herë të parë, në statut parashikohet që diaspora të ketë përfaqësim të dedikuar deri në 15% në organet drejtuese të partisë, por edhe në listat e kandidatëve për deputetë. Demokratët synojnë që emigracioni shqiptar të mos shihet më vetëm si mbështetje elektorale, por si pjesë aktive e vendimmarrjes politike dhe organizimit të partisë jashtë vendit.

Risi tjetër është rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave në forumet dhe strukturat e PD-së. Kuota gjinore rritet nga 30% në 40%, një lëvizje që synon forcimin e rolit të grave në politikë dhe në drejtimin e partisë.

Ndryshimet e miratuara prekin edhe organizimin bazë të PD-së, ku synohet forcimi i grupseksioneve dhe nëndegëve, si dhe fuqizimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve. Gjithashtu, statuti i ri synon të krijojë lidhje më të forta mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë, veçanërisht këshilltarëve bashkiakë, të cilët deri më tani shpesh kanë qenë të shkëputur nga strukturat drejtuese lokale të PD-së.

Në paketën e ndryshimeve përfshihet edhe njohja me status të barabartë e organizatave partnere të Partisë Demokratike, duke respektuar historinë e themelimit të saj, si dhe forcimi i mbrojtjes së të dhënave personale të anëtarëve përmes dixhitalizimit dhe administrimit më të kontrolluar të regjistrave të partisë.

Po ashtu, demokratët kanë vendosur të saktësojnë edhe procedurat për shkarkimin e kryetarëve të degëve, duke vendosur më shumë garanci për stabilitetin e tyre në detyrë dhe duke shmangur vendimmarrjet me shumicë të thjeshtë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT