“Nuk më keni pyetur për AKSHI-n!” Pas akuzave për gazetarët, Mirlinda Karçanaj “kyç gojën” dhe u shmanget mediave (VIDEO)

Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vetëm një javë pasi Gjykata e Lartë i ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitjeje”.

Në daljen e saj nga struktura e Posaçme, Karaçanaj e cila vetëm disa ditë më parë publikisht akuzoi gazetarët se nuk e kanë pyetur lidhur me qëndrimin e saj, vendosi që të “kyçte gojën” dhe të mos jepte asnjë përgjigjej për gazetarët, ndonëse këta të fundit insistuan.

Kujtojmë se ish-drejtoresha e AKSHI-t kishte kërkuar heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, e cila ishte caktuar pas hetimeve të SPAK mbi dyshimet për abuzime me tendera publikë më 16 prill. Përmes mbrojtjes së saj ligjore, ajo paraqiti rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të Gjykatës së Posaçme dhe Apelit të Posaçëm, duke kërkuar lirimin nga masa e sigurisë.

Sipas hetimeve të SPAK, më 16 dhjetor 2025 u lëshuan tetë masa sigurie ndaj Karçanajt dhe disa zyrtarëve të tjerë të AKSHI-t, të cilët akuzohen për shkelje dhe abuzime me procedurat e tenderave publikë.

Ndërkohë, Karçanaj dha dorëheqjen nga drejtimi i AKSHI-t në një moment kritik për institucionin, ndërsa hetimet për korrupsion dhe shpërdorim fondesh kanë përfshirë edhe emra të njohur të biznesit, si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, zbuloi një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë.

Sipas SPAK, hetimi çoi në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mes personave ndaj të cilëve u vendosën masa janë edhe Mirlinda Karçanaj, drejtuese e AKSH-it dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi.

Në qendër të hetimit janë edhe Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për ta është vendosur masa e “arrestit me burg”, por ajo nuk është ekzekutuar, pasi të dy nuk janë arrestuar gjatë operacionit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT