“Ne nuk tërhiqemi!” Rusia kërkoi largimin e diplomatëve të huaj nga Kievi, REAGON ministri Hoxha: E papranueshme, kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka reaguar në lidhje me kërkesën e fundit të Rusisë, që të huajt të largohen nga Kievi para bombardimeve, kërkesë kjo e cila vjen pak ditë pasi u sulmua kompleksi ku banon  ambasadori shqiptar në Ukrainë

Hoxha e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e Rusisë teksa shkruan: “Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara si krejtësisht të papranueshëm”

Ai sqaron se Shqipëria nuk do të tërhiqet por përkundrazi do të qëndrojë në Kiev. “Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi” ka shkruar ai.

Reagimi i plotë:

Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara si krejtësisht të papranueshëm.

Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci; është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi.

Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile.

E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe.

Kjo iu përcoll shumë qartë ditën e sotme edhe Ambasadorit të Rusisë në Tiranë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT