“Ministri grek Nikos Dendias është shqiptar”, Laert Vasili kthehet pas në histori: Një avokat me mbiemrin Dedja, me origjinë nga Vunoi…

Aktori Laert Vasili i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, komentoi origjinën e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, dhe rolin historik të arvanitasve në Greqi.
Vasili u shpreh se mbiemri i Dendias lidhet me “Dedja” nga Vunoi, duke theksuar se edhe vetë ministri ka pranuar origjinën nga zona e Himarës.
Ai solli një episod nga një vizitë në Korfuz, ku sipas tij një avokat me mbiemrin Dedja, me origjinë nga Vunoi, mbante bustin e Skënderbeut dhe tregonte se të parët e tij kishin luftuar krah heroit arbëror.
“Kur kanë vajtur në Korfuz për të marrë një intervistë nga një avokat i famshëm, ishte një që quhej Dedja dhe mbante bustin e Skënderbeut. Ai tha se ishte nga Vunoi dhe se të parët e tij kishin luftuar krah këtij trimi arbëror”, deklaroi Vasili.
“Vetë Dendias thotë nga atje ku ai beson se ka origjinën. Himara quhej gjithë zona aty poshtë”, tha Vasili, duke nënvizuar lidhjen historike të arvanitasve me këtë trevë.
Aktori shtoi se politika greke është ndërtuar mbi ndikimin arvanitas, duke e cilësuar si një “deep state arvanitas”. Sipas tij, pasuria e Ali Pashës ka shërbyer si bazë për krijimin e Bankës Kombëtare Greke, ndërsa arvanitasit besonin se po ndërtonin një “Shqipëri të re ortodokse kundër otomanëve”.
”Politika greke është për t’i hequr kapelën, është deep state arvanitas. Ky deep state arvanitas, me fondin e Ali Pashës, me të cilin u krijua banka kombëtare greke, është themeluar me pasurinë e Ali Pashës nga disa arvanitas dhe ata besonin se po bënin Shqipërinë e re ortodokse kundër otomanëve”, deklaroi ai.