Kush është zyrtari që kishte iPhone 17 Pro Max?! Forcat Speciale bastisin qelitë e burgut, SPAK dhe BKH alarmohen për celularin në Durrës

Një celular model iPhone 17 Pro Max është sekuestruar në qelitë e Burgut të Durrësit. Forcat Speciale janë nisur nga Tirana dhe kanë ushtruar kontrolle të befasishme në qelitë ku akomodohen të dënuarit, dhe atje kanë gjetur celularin e shtrenjtë.
Rasti ka vënë në lëvizje dhe organet më të larta të drejtësisë, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, të cilat në bashkëpunim me Forcat Speciale të DPB-së, kanë mësyrë në qelinë e një të dënuari dhe kanë gjetur celularin.
“Lidhur me rastin janë kryer veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara. Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit”, thuhet në njoftim.
Mësohet se aparati celular model iPhone 17 Pro Max është gjetur gjatë kontrollit në qelinë e një të dënuari që ndodhet i akomoduar në godinën “B” të institucionit. Celulari është gjetur së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë në institucionet penitenciare dhe në goditjen e çdo paligjshmërie brenda sistemit, megjithatë, nuk bëhet me dije se kush është i dënuari që e kishte në posedim.
Duke qenë se në lëvizje për rastin është vënë SPAK dhe BKH-ja, konfirmohet se bëhet fjalë për një zyrtar të lartë ose element kriminal që është dënuar nga Prokuroria e Posaçme. Për më tepër, SPAK dhe BKH kanë pasur informacion për rastin dhe atë ia kanë përcjell Drejtorisë së Burgjeve.
Goditet rast i posedimit të sendeve të ndaluara në IEVP Durrës
Në vijim të kontrolleve të befasishme dhe të intensifikuara të ushtruara nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), është evidentuar një rast i posedimit të sendeve të ndaluara në ambientet e IEVP Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”, u konstatua dhe sekuestrua një aparat celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.
Lidhur me rastin janë kryer veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.
Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë në institucionet penitenciare dhe në goditjen e çdo paligjshmërie brenda sistemit.