Kërkoi interpelancë me ministrin Andis Salla, i nxorën Ervin Demon! Erion Braçe “i zë radhë” socialistët: Ore nuk e përcaktoni ju, as kush do pyetet e as kush do të japë “llogari”

Deputeti socialist Erion Braçe u është kthyer të vetëve gjatë punimeve të sotme në Kuvendin e Shqipërisë, pasi ministri i Bujqësisë, Andis Salla nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë në interpelancë dhe ia ka deleguar atë kolegut tjetër, ministrit Ervin Demo.
Ai ka parashtruar disa shqetësime që lidhen me kafshët e rrugës, groposjen dhe djegien e tyre pas ngordhjes, por në vend të ministrit Andis Salla, është përgjigjur anëtari tjetër i kabinetit, Ervin Demo.
Kjo e ka irrituar deputetin socialist, duke u shprehur se subjektin që do të përgjigjej ndaj interpelancës së kërkuar, nuk mund ta vendoste as kreu i Grupit Parlamentar dhe as shërbimet e Kuvendit të Shqipërisë.
“Kjo nuk më bën të harroj se përgjegjëse e drejtpërdrejtë është Ministria e Bujqësisë, Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, ministri i Bujqësisë, mungesa e të cilit është mungesë e thellë respekti ndaj Kuvendit, mungesë respekti që nuk fsheh paaftësinë epike për të lexuar jo thjeshtë për të mos bërë punën.
Në këto kushte unë do ta bëj interpelancën se dua të bëj punën time, por jo pa thënë sa më poshtë:
E para, nuk mund të përcaktojë një kryetar grupi se më kë unë duhet të bëj interpelancë, e dyta nuk mund të përcaktojë një ministër nëse do e bëjë ai apo një ministër tjetër interpelancën time me të, së treti nuk mund të përcaktojë zyra e përgatitjes plenare se me kë do ta bëj unë interpelancën”, u shpreh Erion Braçe.