“Jam i pakënaqur me atë që më ka ofruar Irani”, Trump nuk pranon propozimin e fundit për paqe

Donald Trump ka hedhur poshtë ofertën më të fundit të Iranit për paqe, duke e cilësuar atë si të papranueshme për Shtetet e Bashkuara. Në një intervistë për Kanalin 12 të Izraelit, ai tha se e kishte shqyrtuar me kujdes kundërpropozimin e Teheranit, por nuk e konsideronte të pranueshëm.
“Iranianët duan një marrëveshje, por unë nuk jam i kënaqur me atë që paraqitën,” u shpreh Trump, duke nënvizuar se nuk do të pranonte lehtësisht kushtet e ofruara nga pala iraniane.
Ky propozim erdhi pasi Teherani bëri të ditur se Uashingtoni kishte dorëzuar një plan me 14 pika përmes ndërmjetësisë së Pakistanit. Irani, nga ana e tij, kundërshtoi idenë e një armëpushimi dy-mujor, duke kërkuar që çështjet kryesore të zgjidhen brenda 30 ditëve dhe duke insistuar se prioriteti duhet të jetë përfundimi i konfliktit, jo një ndalesë e përkohshme e luftimeve.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane theksoi se aktualisht nuk po zhvillohen bisedime mbi programin bërthamor.
Në të njëjtën intervistë, Trump foli edhe për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e cilësuar si një udhëheqës të domosdoshëm në kohë lufte.
“Izraeli nuk do të ekzistonte pa mua dhe Bibi-n,” tha ai, duke shtuar se vendi ka nevojë për një kryeministër që të fokusohet tek lufta dhe jo tek “gjërat e parëndësishme.”