Grushta e gjak te FINMAN! Sherr me bodygardë, miliona të zhdukura dhe akuza për grabitje pronash në “Manastir Resort”, biznesmeni në gjendje të rëndë

Një tjetër përplasje e fortë mes ortakëve të kompanisë FINMAN SH.P.K. është raportuar pas mbledhjes së fundit, duke hedhur dritë kështu mbi konfliktet e brendshme që mesa duket prej kohësh shoqërojnë holdingun që kontrollon aksione në disa prej kompanive më të njohura në sektorin e ndërtimit, turizmit dhe investimeve në Shqipëri.
Siç dhe raportuam dhe më herët tensionet u regjistruan mes biznesmenit shqiptar Idajet Ismailaj, i konsideruar si figura kryesore dhe “bosi” i grupit Albstar dhe ortakut tjetër të shoqërisë, Sokol Agalliu.
Konflikti dyshohet se ka shpërthyer menjëherë pas mbledhjes së bordit drejtues të FINMAN, kompani e cila zotëron aksione në shoqëri të rëndësishme si AlbStar SHPK, Manastiri Resort, Arena Center dhe kompani të tjera të lidhura me investime strategjike në vend.
Sipas pretendimeve të bëra publike, gjatë debatit janë ngritur akuza të forta lidhur me administrimin financiar të kompanisë dhe menaxhimin e aseteve të grupit. Burime pranë palëve pretendojnë se Sokol Agalliu ka akuzuar Idajet Ismailajn dhe persona të afërt me të, përkatësisht të birin, për dëmtim financiar të kompanisë dhe përvetësim të pasurive të lidhura me projektet e grupit.
Thuhet se një nga pikat më të forta të përplasjes lidhet me pretendimin e Agalliut se Ismailaj ka përvetësuar rreth 750 m2 në zonën e “Manastiri Resort”, projekt turistik ku palët rezultojnë të lidhura si ortakë.
FINMAN SH.P.K. funksionon si një kompani holding me aktivitet të gjerë në administrimin e aksioneve dhe koordinimin financiar të disa shoqërive tregtare në Shqipëri dhe jashtë saj. Sipas të dhënave publike të regjistruara në QKB, objekti i kompanisë përfshin administrimin e kuotave të kompanive të kontrolluara, koordinimin teknik, financiar dhe organizativ të grupit, si dhe zhvillimin e projekteve në sektorin e ndërtimit, energjisë, pasurive të paluajtshme dhe investimeve industriale.
Në strukturën e ortakërisë së FINMAN rezultojnë të përfshira disa kompani dhe emra të njohur të biznesit shqiptar. MOTUS e cila ka dhe përqindjen më të lartë të aksioneve në këtë kompani rezulton të kontrollohet nga Idajet Ismailaj, ndërsa Transatlantic Strategic Investments (TSI) administrohet nga Jonuz Ismailaj. Ndërkohë, kompania RAI rezulton në pronësi të Rajmonda Agalliut, ndërsa administrator i saj është bashkëshorti, Sokol Agalliu.
Emri i Idajet Ismailajt lidhet prej vitesh me aktivitetin e Albstar, një nga kompanitë më të njohura shqiptare në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës. Përmes FINMAN dhe kompanive të lidhura me të, grupi ka investime në projekte infrastrukturore, prodhim industrial, turizëm dhe zhvillim pronash, duke u konsideruar si një nga strukturat holding me ndikim në ekonominë shqiptare.
Konfliktet mes ortakëve nuk janë të reja. Edhe në javët e fundit janë raportuar incidente dhe tensione të vazhdueshme në ambientet e kompanisë, ndërsa mosmarrëveshjet lidhen kryesisht me kontrollin e aseteve, administrimin financiar dhe drejtimin e kompanive që janë pjesë e grupit FINMAN. Një nga projektet më të përfolura mbetet edhe “Manastiri Resort”, investim që ka shkaktuar debate të forta publike për shkak të zhvillimeve në zonën e Gjirit të Manastirit në jug të vendit.
Vlejmë te theksohet se lidhur me këto pretendime deri më tani nuk ka asnjë reagim nga palët e përfshira!
“Manastiri Resort”, projekti luksoz që u kthye në mollën e sherrit mes ortakëve të FINMAN
Në një ngushticë toke që ndan Liqenin e Butrintit me Detin Jon, shtrihet një gji detar që ruan gjurmë të jashtëzakonshme të lulëzimit të jetës përgjatë antikitetit dhe mesjetës.
“Gjiri i Manastirit” e mori emrin nga Manastiri i Shën Gjergjit, që është ndërtuar aty që prej shekullit XVII dhe qëndron në krye të Gadishullit të Ksamilit. Gjetjet arkeologjike aty pranë janë shumë më të hershme, duke nisur nga shekujt IV-III Para Erës Sonë.
Deri në vitin 2022 në zonë kishte pak ndërhyrje ndërtimore, kryesisht nga strukturat turistike, por situata u përmbys pasi qeveria shqiptare rrudhi sipërfaqen e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe i hapi rrugën projekteve ndërtimore.
Projekti “Manastiri Resort” mori mbështetjen e menjëhershme si një investim strategjik, për të ndërtuar një fshat turistik në gjirin gati të paprekur të Manastirit. E mesa duket ky resort ka qenë dhe një nga pikat kryesore të konfliktit mes ortakëve.
Projekti, i lidhur me grupin FINMAN konsiderohet një nga investimet më të mëdha private në rivierën shqiptare dhe përfshin hotel luksoz, vila premium, plazh privat, SPA, ambiente sportive dhe struktura të tjera turistike.
“Manastiri Resort” u kthye në qendër debatesh publike pas vendimit të qeverisë për ndryshimin e kufijve të zonave të mbrojtura në Butrint. Ministrja Mirela Kumbaro, e cila aso kohe ishte dhe ministre Kulture, e justifikoi ndërhyrjen me termin tashmë të njohur “pika e vogël”, shprehje që më vonë u përdor gjerësisht në mënyrë ironike nga kritikët e projektit.
Ambientalistë, ekspertë dhe qytetarë kanë akuzuar projektin për betonizim të zonës dhe dëmtim të një prej hapësirave më të ndjeshme natyrore në jug të vendit.
Në rrjetet sociale dhe debatet publike, projekti është cilësuar nga kundërshtarët si simbol i ndërtimeve oligarkike në bregdet, ndërsa qytetarë dhe aktivistë kanë ngritur shqetësime edhe për çështje pronësie, ndikim mjedisor dhe mënyrën se si resorti mori statusin e “investitorit strategjik”.