Gjykata e Durrësit në kërkim të 8 kinezeve që ushtruan prostitucion, pasi u arrestuan ia hodhën paq dhe u zhdukën nga Shqipëria (DOKUMENTI)

Gjykata e Durrësit ka caktuar datën 6 maj për seancën e radhës gjyqësore ndaj 8 shtetaseve kineze, të cilat akuzohen për veprat penale “trafikim personash të rritur”, “prostitucion” dhe “shfrytëzim prostitucioni”, që ranë në pranga e “bluve” të Durrësit në dhjetorin e 2024.
Mirëpo raportohet se seanca në fjalë pritet të shtyhet, pasi asnjë prej të pandehurave nuk do të jetë në sallën e gjyqit.
Fillimisht, pasi u vunë në pranga, gratë dhe femrat e arrestuara u mbajtën në qeli. Por në seancat pasuese gjykata vendosi që ato të hetohen në gjendje të lirë nga Prokuroria e Durrësit.
Aktualisht bëhet me dije se hetimet ndaj tyre kanë përfunduar, mirëpo tani asnjëra prej tyre nuk ndodhet në adresën e deklaruar të qëndrimit.
Për rrjedhojë, Gjykata e Durrësit ka vendosur t’i njoftojë të pandehurat për nisjen e procesit gjyqësor nëpërmjet “shpalljes publike”, një ndër format e fundit që parashikon Kodi i Procedurës Penale për vënien në dijeni të personave të interesuar.
Më 23 prill, gjyqtarja Emirjana Dimo nënshkroi nga një “shpallje publike” për secilën prej shtetaseve kineze, duke i njoftuar mbi zhvillimin e seancës gjyqësore.
Në total janë shpallur 8 njoftime publike për shtetaset e identifikuara si: Yanxia Zhang, Yang Jing, Wuang Fen, Tang Jing, Qiaolan Zhang, Lin Lin, Li You, Guangcheng Lin.
Në dokumentin e siguruar nga Boldnews.al, Gjykata e Durrësit në shpalljen publike, shprehet se“…Duke qenë se shtetaset, në cilësinë e të pandehurës në çështjen penale, nuk janë arritur të njoftohen në adresë me anë të fletë-thirrjes, njoftimi për zhvillimin e seancës gjyqësore do të kryhet me anën e kësaj shpalljeje”.