Gentian Likaj sot në SPAK, “e ropi” shtetin njëlloj si kunati Ermal Beqiri: 7.5 miliardë lekë në pak vite me kompaninë “Communication Progress”

Biznesmeni Gentian Likaj është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të hetimeve të thelluara për skandalin në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku dhjetëra tendera janë përfituar nga Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe lidhje të tyre shoqërore e familjare.
Në rastin konkret, Gentian Likaj rezulton se është lidhje familjare e biznesmenit të shpallur në kërkim Ermal Beqiri, konkretisht bashkëjetuesi i motrës së tij, raporton newsbomb.al.
Ai rezulton se përgjatë viteve, kryesisht pas ngritjes së kunatit Ermal Beqiri, ka fituar dhjetëra tendera të majmë me vlerë që e kalon 7.5 miliardë lekë të vjetra, sipas të dhënave zyrtare të raportuara në databazën “Open Data Albania”.
Kompania “Communication Progress” është themeluar në vitin 2000 nga Gentian Likaj dhe Enkelejd Zoraqi, por përgjatë viteve këta shtetas i kanë shitur aksionet Dhimiter Shulit, i kanë blerë sërish prej tij, i kanë hitur sërish me vlerë më të lartë, i kanë blerë sërish dhe në vitin 2018, shtetasi Dhimitër Shuli pasi ishte larguar dhe përfshirë disa herë në bordin e ortakëve, vendos të shesë të gjitha aksionet dhe u largua përfundimisht.
Prej vitit 2018, Gentian Likaj dhe Enkelejd Zoraqi kanë mbetur zotëruesit e vetëm të kuotave të kapitalit të kompanisë dhe kanë një ndarje të barabartë të aksioneve, në 50% secili.
E vetme, kompania “Communication Progress” rezulton se ka fituar 15 kontrata publike me vlerë më shumë se 332 milionë lekë të reja ose 3.3 miliardë lekë të vjetra. Bëhet fjalë për shërbime si mirëmbajtje e sistemeve financiare, semaforëve, serverave, në shumicë nga Bashkia Tiranë.
Ndërkohë, në bashkëpunim me kompaninë “ITE.GrupSHPK”, Gentian Likaj ka marrë tenderin për kartat e aksesit në Bashkinë e Tiranës, me vlerë 200 milionë lekë të vjetra, raporton newsbomb.al.
Gjithashtu, në bashkëpunim me kompaninë “ED KONSTRUKSION SHPK”, kunati i Ermal Beqirit ka fituar një tender publik me vlerë rreth 550 milionë lekë të vjetra, për kompletimin e nënsistemit të Qendrës së Kontrollit të Trafikut me kamera televizive.
“Communication Progress” dhe “ATOM” ka fituar një tender me vlerë 25 milionë lekë të vjetra për “Blerje pajisje elektornike dhe telekomunikacioni”.
Ndërkohë, përsa i përket ndërmarrjeve publike, kompania e Gentian Likaj ka fituar e vetme 14 kontrata publike me vlerë totale 237 milionë lekë të reja ose 2.37 miliardë lekë të vjetra, për shërbime që lidhen kryesisht me mirëmbajtje sistemi, servera, shërbime interneti, etj.
Kurse në bashkëpunim me “One Albania” dhe “Albtelekom”, kompania “Communication Progress” ka fituar më shumë se 1 miliardë lekë të vjetra, e ndarë në 198 milionë me kompaninë e parë dhe 833 milionë me kompaninë e dytë.
Dyshimet e Prokurorisë së Posaçme, bazuar dhe në të dhënat që kanë rrjedhur nga dosjet hetimore, janë se biznesmeni Gentian Likaj ka parë një lulëzim të biznesit menjëherë pasi kunati i tij Ermal Beqiri krijoi influencë dhe lidhje në AKSHI.
Sipas SPAK, paratë e fituara përmes tenderave nga kompania “Communication Progress”, mund të kenë përfunduar tërthorazi në xhepat e Ermal Beqirit. Megjithatë, deri në këtë fazë, hetimi është ngritur mbi dyshime të arsyeshme dhe kur dosja të shkojë në gjykatë, do të zbardhet dhe statusi i biznesmenit Gentian Likaj, në raport me hetimet ndaj kunatit dhe AKSHI-t.
© Newsbomb.al