Gara brenda Partisë Demokratike, Adriana Kalaja: Nuk mund të kandidojnë ata që nuk plotësojnë kushtet e etikës

Gjatë një interviste në RTSH, avokatja Adriana Kalaja komentoi procesin e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar si një procedurë të rregullt dhe të bazuar në statutin e partisë.
Kalaja theksoi se çdo figurë kryesore e PD-së ka pasur mundësinë të kandidojë, por shtoi se gara nuk duhet të kthehet në një proces formal pa kritere, vetëm për të krijuar perceptime publike.
Sipas saj, Partia Demokratike nuk mund të lejojë kandidatura të individëve që nuk përmbushin standardet e kodit etik dhe nuk kanë dhënë kontribut në parti.
“Është një proces statutor dhe askujt nuk i është mohuar e drejta për të garuar, por nuk mund të hapet rrugë çdo individi që nuk plotëson kushtet e etikës,” u shpreh Kalaja.
Ajo ngriti shqetësimin për emra që, sipas saj, nuk janë pjesë e PD-së dhe megjithatë kërkojnë të kandidojnë për kryetar.
Kalaja nënvizoi se përballja për drejtimin e partisë kërkon kritere të forta, sidomos kur bëhet fjalë përballë një figure si Sali Berisha, të cilin e vlerësoi për kontributin e tij politik prej më shumë se tre dekadash.