Futbollisti shqiptaro-britanik Jonathan Gjoshe rrëfen sulmin me thikë në tren: Disa e menduan si shaka sepse ishte pas Halloween-it, që nga ajo ditë nuk kam hipur më në tren

Futbollisti 23-vjeçar Jonathan Gjoshe, që luante me klubin anglez Scunthorpe United, ka treguar për herë të parë momentet e frikshme kur u godit shtatë herë me thikë gjatë një sulmi në një tren në Angli, në nëntor 2025. Ai po udhëtonte nga Doncaster drejt Londrës kur një person i armatosur nisi të sulmonte pasagjerët.
“Isha ulur në tren, po rrija qetë. Papritur dikush më erdhi nga pas dhe më goditi me thikë, goditja e parë ishte në shpatull. Më pas ai filloi të vraponte nëpër korridoret e trenit duke paralajmëruar pasagjerët. Po bërtisja: ‘Ka një person me thikë, ikni!’ Disa menduan se ishte shaka sepse ishte një ditë pas Halloëeen-it. Por unë e dija që ishte reale. Mendova vetëm të shpëtoja jetën.”- shprehet futbollisti.
Gjoshe arriti të tërhiqte alarmin e emergjencës ndërsa ishte i mbuluar në gjak. Treni ndaloi në Huntingdon, ku ndërhynë policia dhe mjekët. Në spital u konstatua se kishte shtatë plagë në krah, shpatull dhe biceps. Mjekët i thanë se kishte qenë me fat që nuk humbi funksionin e dorës.
“Në ato momente mendova se nuk do ta shihja më familjen time. Ishte frika më e madhe”, tha ai.
Ngjarja bëri bujë në Britani. Ai iu nënshtrua muaj të tërë rehabilitimi dhe u rikthye në stërvitje në muajin mars. “Nuk kam hipur më në tren që nga ajo ditë. Nuk mund t’i besoj më askujt.”
Jonathan Gjoshe shihej si një histori force dhe rikthimi, pasi kishte kaluar nga futbolli amator londinez te Scunthorpe United, duke debutuar me ekipin e parë pak javë para sulmit. Klubi dhe tifozët organizuan një fushatë “GoFundMe” për ta ndihmuar.
“Humba gjysmën e sezonit për shkak të asaj që ndodhi. Shpresoja të më jepej një tjetër mundësi për ta treguar veten. Faleminderit Zotit që jam gjallë. Kjo më ka bërë të luftoj çdo ditë edhe më fort. Ke vetëm një jetë dhe duhet ta shfrytëzosh maksimalisht.”- shprehet ai.
Për sulmin është arrestuar 32-vjeçari Anthony Williams, i cili përballet me 10 akuza për tentativë vrasjeje. Gjyqi ndaj tij pritet të nisë në tetor.