Festa e Lul Berishës me shokë në Burgun e Durrësit, “shpërthen” profesoresha: Miliona euro nga taksat tona për ushqime që hidhen, pse të mos i hanë fëmijët, nënat kryefamiljare?!

Historiania dhe profesoresha e njohur Elena Kocaqi ka bërë një reagim të fortë nisur nga pamjet e publikuara mbrëmjen e djeshme nga gazetari Flamur Vezaj, ku shiheshin disa të dënuar në Burgun e Durrësit duke festuar me ushqim dhe pije.
Ata ishin në një dhomë të veçuar dhe mes tyre dalloheshin lehtësisht Lul Berisha e Fehmi Mziu, ndërsa ushqimi me vasketa dukej që nuk ishte ai i burgut.
Ndaj, profesoresha thotë se në kushtet kur miliona euro nga taksat tona harxhohen për ushqim që në fund hidhet në kosh sepse të dënuarit nuk e pranojnë ushqimin e burgut, përse këto para nuk shpenzohen për fëmijët dhe nënat kryefamiljare.
“Personalisht mendoj se të burgosurit duhet të kenë një jetë normale veç lirise. Burgu duhet dhëne për krime mbi 5 vjet dhe jo siç ndodh sot që janë mbushur burgjet plot kot. Burgjet janë kthyer në një industri miliona euro.
Harxhohen miliona euro të shqiptarëve, për gatime që derdhen, se 90% e tyre hanë ushqim nga familja. Ndërkohë këto miliona euro ushqim i derdhur mund të ushqenin fëmijtë e këtij vendi.
Ato para duhet të shkonin për nënat që rrisin femijtë e këtij vendi, që shumica i rrisin pa ndihmën e familjeve, të shoqërisë e të shtetit. Po ne jemi shoqëri e padrejtë dhe e pandjeshme se kur vjen puna tek humanizmi nuk e kuptojmë se nuk ka humanizëm më të madh, se të ndihmosh në ushqimin e një fëmije”, shkruan profesoresha.