“E vrau shteti”, Shemsi Prençi për zhdukjen e Ervis Martinajt: U kërcënua nga kryeministri që ‘ne ta dimë targën’

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka dhënë një deklaratë të fortë lidhur me zhdukjen e Ervis Martinajt. Ai e cilësoi ngjarjen si një “vrasje shtetërore”, duke e lidhur me qëndrimet publike të zyrtarëve të lartë të qeverisë.

Prençi kujtoi se Martinaj ishte përmendur hapur nga kryeministri Edi Rama, i cili kishte paralajmëruar se shteti e dinte “targën, makinën dhe çdo lëvizje të tij”. Sipas tij, kjo e ktheu Martinajn në “tabelë qitjeje”.

“Unë mendoj se vrasja e Martinajt është vrasje shtetërore. Kohë më parë Ervis Martinaj u kërcënua nga kryeministri Rama që ne ta dimë targën, makinën se çfarë bën etj. Ka patur konflikt me biznesmenë dhe me familjen kryeministrore për lojërat e fatit. Dhe kur thotë kryeministri, kjo vrasje do të jetë e vështirë për t’u zbuluar nga shteti”, – u shpreh Prençi.

Ai shtoi se pas zhdukjes së Martinajt, u premtua se brenda 100 ditëve do të kishte një përgjigje, por kanë kaluar mbi 1200 ditë pa asnjë rezultat. Prençi përmendi edhe deklaratat e ministrave të Brendshëm, përfshirë Taulant Ballën, të cilët kishin thënë se “shumë shpejt” do të bëhej publik fati i Martinajt, por kjo nuk ka ndodhur.

Sipas tij, policia ka evidentuar personat që kanë pasur konflikte me Martinajn dhe disa elementë brenda strukturave mund të dinë fatin e tij. Prençi theksoi se edhe pse Martinaj ka qenë pjesë e botës së krimit, ai ka paguar taksa dhe shteti ka detyrimin të japë llogari për zhdukjen e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT