Dy ish-presidentët Albert Xhani dhe Paro Laçi sot në GJKKO, për dosjen “Partizani” do të dëshmojnë edhe ish-drejtorët e Klubit! U premtuan apartamente që të mos kundërshtonin privatizimin

Dy ish-presidentët e Klubit Shumësportësh Partizani, Albert Xhani dhe Paro Laçi do të dëshmojnë sot në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Partizani”, kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi.

Gjithashtu, sot do të pyeten në cilësinë e dëshmitarëve edhe ish-drejtuesit e Klubit, shtetasi  Bujar Labinoti, Afrim Tole, Isa Tare.

Ish-president i Klubit Partizani, njëkohësisht ish-gardist, Paro Laçi pritet të dëshmojë përballë ish Sali Berishës, pasi më herët gjatë marrjes në pyetje është shprehur se njerëzit e ish-kryeministrit i kishin ofruar “pazare” në mënyrë që të lejonte tjetërsimin e ambienteve të klubit.

Prokuroria e Posaçme thotë se edhe ish-drejtorit Isa Tare i është premtuar një apartament në zonën ku ndodheshin terrenet sportive të klubit, në këmbim që ai të mos kundërshtonte privatizimin e ndërmarrë nga qeveria Berisha dhe të lejuar nga Bashkia Tiranë.

Ai ka qenë në krye të klubit për një dekadë, nga viti 1995 deri në vitin 2005 dhe nuk ka kundërshtuar procesin e privatizimit të mijëra m2, ku sot janë ndërtuar tetëmbëdhjetë kulla banimi e shërbimi.

Edhe Afrim Tole, drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani në vitet 2006-2008, u ka treguar hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorëve, për të gjitha pronat e klubit, përpara se ndaj tyre të ndërmerrej procesi i privatizimit.

Lista e shtatë dëshmitarëve plotësohet me Dhurata Çelën dhe Petrit Kullollin; me të parën që ka qenë drejtoreshë e Agjencisë së Pronave për Tiranën dhe i dyti topograf, në kohën kur është ndërmarrë procesin final i privatizimit të klubit.

Prokuroria e Posaçme thotë se dosja e ish-kompleksit Partizani ishte ndër të parat që u shqyrtua nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, ndërsa në një dëshmi të ish-drejtoreshës së Përgjithshme të Pronave, Justina Boriçi është konfirmuar se Dhurata Çela ishte emëruar “me rekomandim nga lart”.

FAKTI PENAL NË NGARKIM TË SALI BERISHËS DHE JAMARBËR MALLTEZIT:

Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:

Shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

1- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.

2- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.

3- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit Jamarbër Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit Sali Berisha, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:

1- Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.

2- Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi.

3- Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672.976.832 lek ose 5.420.345 euro.

Shtetasi Jamarbër Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin S. B., pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë:

1- Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.

2- Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi.

3- Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672.976.832 lek ose 5.420.345 euro.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT