“Duhet armëpushim i menjëhershëm në Lindjen e Mesme”, Kina dënon sulmet ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe

Kina ka shprehur “shqetësim të thellë” për sulmet ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) dhe dënon çdo eskalim të mëtejshëm ushtarak në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, tha se Kina kundërshton fuqimisht çdo veprim që rrit tensionet në rajon, teksa vazhdon konflikti mes SHBA-së dhe Iranit.
“Kina beson se sovraniteti, siguria dhe integriteti territorial i vendeve të Gjirit në Lindjen e Mesme duhet të respektohen seriozisht, ndërsa civilët dhe objektivat jo ushtarake të mbrohen,” tha Lin Jian gjatë konferencës për shtyp në Pekin.
Ai shtoi se prioriteti i menjëhershëm është arritja e një armëpushimi të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës, parandalimi i eskalimit të mëtejshëm të konfliktit dhe ndalimi i përhapjes së armiqësive.
Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan të hënën sulme të reja me raketa dhe dronë iranianë ndaj Zonës së Industrisë së Naftës në Fujairah – sulmet e para të këtij lloji që nga hyrja në fuqi e armëpushimit mes Iranit dhe SHBA-së më 8 prill.
Teherani, nga ana e tij, i hodhi poshtë akuzat e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke i quajtur ato “të pabaza”.
Kina, si një lojtar i rëndësishëm diplomatik, ka bërë thirrje të përsëritura për de-eskalim në rajon dhe respektim të sovranitetit të vendeve të Gjirit.