Dhuna barbare ndaj socialistëve, Petro Koçi kthehet pas 30 vite: U derdh gjak nga regjimi fashist i Berishës, si u rrëmbye Kiço Londo nga SHIK

30 vite nga 26 maji i vitit 1996, një prej episodeve më të errëta të tranzicionit politik shqiptar. Një nga të majtët veteranë dhe ish-deputeti socialist Petro Koçi ka kujtuar ditët e tensionit dhe përplasjes mes opozitës së atëhershme dhe pushtetit, duke i cilësuar ngjarjet e asaj kohe si “grusht shteti” ndaj zgjedhjeve.
Në një intervistë të dhënë së fundmi Koçi deklaroi se gjatë procesit zgjedhor pati dhunë, rrëmbime dhe presion ndaj komisionerëve të opozitës, ndërsa akuzoi strukturat e SHIK-ut për terror psikologjik dhe fizik ndaj socialistëve. Ai solli në vëmendje edhe rastin e regjisorit Kiço Londo, i cili sipas tij u rrëmbye dhe u dhunua pak ditë para zgjedhjeve.
Sipas Koçit, 26 maji mbetet një nga datat më të rënda për demokracinë shqiptare, ndërsa kujtoi se shumë mbështetës të opozitës u përballën me frikë, presion dhe dhunë në qendër të Tiranës dhe qytete të tjera të vendit.
“Zgjedhjet e 26 majit janë dëshmi e një regjimi fashist, jo thjeshtë një regjimi të korruptuar. Zgjedhjet nuk u manipuluan, ishte grusht shteti, u grabitën me dhunë, me forcë, me gjak. Ishte dhunë e egër mbi zgjedhjet dhe unë e kam quajtur grusht shteti. Zgjedhjet e 26 majit vijnë pas fitores së opozitës në referendumin për Kushtetutën dhe Sali Berisha e dinte shumë mirë cili ishte vullneti politik i zgjedhësve. I duhej të bënte grusht shteti mbi zgjedhjet që të mbante pushtetin. Ngjarjet kanë qenë shumë të rënda. Bëhej fjalë për rrëmbim komisionerësh, jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe para zgjedhjeve. U shkonin nëpër shtëpi dhe i rrëmbenin. Në Fier kanë rrëmbyer një komisioner dhe e çuan në Seman, 18 km larg Fierit dhe e lanë atje mes plazhit që të vinte në këmbë në shtëpinë e vet”, tha mes të tjerash Koçi.
“Në Fier përshembull është rrëmbyer Kiço Londo, disa ditë para zgjedhjeve. E rrëmbeu SHIK-u. Kiço Londo është rrëmbyer në sheshin para Teatrit Bylis, por fati i tij ishte se dikush ka parë momentin dhe është regjistruar ngjyra e makinës dhe targa. Dhe shpëtoi sepse ne falë një gruaje shumë trimëreshë që punonte në centralin telefonik të Patosit, ajo na dëshmoi të gjithë komunikimin që kishte pasur SHIK-u i Fierit me njerëzit e vet në Patos. Dhe të gjitha këto të nesërmen kanë dalë te Zëri i Popullit dhe prandaj shpëtoi Kiço, sepse ne e dimë shumë mirë që është rrahur në qelitë e SHIK-ut me shishe me ujë. Mbusheshin shishet plastike me ujë dhe qëllohej. Të gjitha këto bëheshin për të frikësuar socialistët”, shtoi ish-deputeti në një intervistë të dhënë për Report Tv.