“Dekorimi i Bardhyl Agasit, poshtërim i rëndë”, Arben Malaj i përvishet Sali Berishës: Ke mentalitet diktatori, ai është personalitet dhe një nga themeluesit e PS në ’91

Ish-ministri socialist Arben Malaj ka bërë një reagim të fortë në mbështetje të mikut të tij, ish-deputetit durrsak dhe një prej personaliteteve më të vlerësuara në qytetin e Durrësit, Bardhyl Agasi, pas shënimit të Sali Berishës.
Malaj merr spunto nga reagimi i liderit demokrat, i cili e cilëson nderimin e Bardhyl Agasit për kontributin në PS si një turp, duke u ndikuar nga akuzat e drejtësisë ndaj të birit, Ergys Agasi.
“Ky mesazh i Berishes është provë e një mentaliteti diktatorial. Ky mesazh nuk është për të mbrojtur mikun tim Bardh Agasi, por për të treguar se mentalitetet neodiktatoriale nga çdo parti politike e vrasin dinjitetin njerëzor dhe mbijetojnë gjatë vetëm si antidemokrate.
Koha kur për një pjesëtar të një familjeje duhet të persekutoheshin psikologjikisht te gjithë pjesëtarët e familjes ka vdekur.
Bardhyl Agasi ka qenë një nga personalitetet publike shumë të respektuar në Durrës, i cili u bashkua ne vitin 1991 dhe u përkushtua themelimit dhe modernizimit të PS-së, duke filluar nga qyteti i dytë më i madh i vendit që konsiderohej bastion i të djathtës. PS-ja ka fituar në Durrës edhe para vitit 2005″, shkruan Arben Malaj.
Ish-ministri socialist thotë se jo vetëm Bardhyl Agasi, por edhe doktori Miri Hoti, akademiku Moikom Zeqo, Zihni Beqiri dhe shumë kolegë të tjerë u bënë bërthama themeluese dhe modernizuese e të majtës progresiste në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë.