Berisha garon i vetëm, PD kërkesë KQZ për siguri maksimale në zgjedhjet e 23 majit!

Partia Demokratike përmes një kërkese zyrtare drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ka kërkuar pajisjen me materiale zgjedhore, në kuadër të ‘zgjedhjeve’ të 23 majit për kreun e kësaj force politike ku Sali Berisha garon i vetëm.

Në kërkesën e firmosur nga Sekretari Organizativ i PD-së, Ervin Minarolli dhe të protokolluar në KQZ më 6 maj 2026, PD ka kërkuar vënien në dispozicion të 30 kutive të votimit, 100 dhomave të fshehta dhe 700 vulave plastike sigurie për kutitë e votimit.

Po ashtu, në kërkesën zyrtare theksohet se këto materiale janë të domosdoshme për garantimin e starndardeve zgjedhore, për integritetin e procesit dhe sigurimin e transparencës.

Por kjo kërkesë duket jashtë realitetit, për shkak se Sali Berisha në zgjedhjet e 23 majit në PD është në garë ‘vetëm me veten’ e tij.

Të gjithë pretendentët për kandidatë, që nga Ervin Salianji, Alesia Balliu, Vladimir Mulaj dhe së fundmi edhe Mereme Sela, u skualifikuan nga gara, me pretendimin se nuk përmbushnin kriteret e përcaktuara nga Statuti i PD-së.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT