Behgjet Pacolli lutet për drejtësi: Po na vidhen pajisjet brenda Aeroportit, para syve të Policisë së Shtetit, kush ka urdhëruar të mos futemi brenda?!!

Sipërmarrësi Behgjet Pacolli ka reaguar sërish këtë të hënë për situatën në Aeroportin e Vlorës, duke kërkuar nga institucionet që të lejojnë punonjësit e kompanisë së tij “MABCO” që të futen në ambientet e brendshme dhe të vazhdojnë punën.
Mirëpo, kjo vetëm që nuk po ndodh prej një jave, por sipas biznesmenit, pajisjet e punëtorëve, inxhinierëve, ato të kompanisë, me vlerë të konsiderueshme, po vidhen.
“E gjithë kjo po ndodh para syve të Policisë së Shtetit, e cila po pengon qasjen në punë, tash e sa ditë. Pyetja është e thjeshtë dhe kërkon përgjigje të qartë: kush i ka urdhëruar këto veprime dhe kush po e mban peng këtë proces?”, shkruan Behgjet Pacolli.
Pavarësisht se ditë më parë u duk se u dorëzua përballë padrejtësisë që po i bëhej dhe tha se nuk do të luftonte më me shtetin, sot Behgjet Pacolli lutet për drejtësi dhe kërkon që situata të hetohet menjëherë.
“Prapë pengesa, prapë bllokada, prapë privim i njerëzve nga e drejta elementare për të punuar, per te pasur qasje në pronën e tyre! Edhe sot po vazhdon e njëjta skenë: njerëzve u mohohet qasja në punishtë, në sendet e tyre private, në pajisjet dhe instrumentet e punës, ndërsa Terminali vazhdon të mbahet peng.
Tashmë kemi dëshmi serioze se kompjuterë dhe instrumente sensitive po vidhen nga grupe që kanë uzurpuar hapësirat ku ndodhen pajisjet e ndijëshme, pajsjet të mjeshtërve, inxhinierëve dhe punëtorëve. Këto gjëra kanë mbetur pa asnjë përkujdesje, kanë mbetur në mëshirën e atyre që po mbajnë peng një vepër ku investitori Mabco ka investuar qindra miliona euro”, shkruan Behgjet Pacolli.