Avionët luftarakë të NATO-s rrëzojnë dronin ukrainas mbi Estoni, ishte për forcat ruse por sistemi dështoi

Avionët luftarakë të Policisë Ajrore Baltike të NATO-s kanë rrëzuar një dron që u shfaq në hapësirën ajrore të Estonisë. Ai raportohet se është rrëzuar mbi liqenin Vörtsjärv në Estoninë jugore dhe origjina e tij ishte ukrainase.
Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur e konfirmoi lajmin dhe tha se ka shumë të ngjarë që droni ukrainas të ketë qenë i drejtuar ndaj objektivave në Rusinë veriperëndimore por sistemet e tij janë bllokuar dhe kanë humbur në drejtimin e gabuar.
Kjo teori u konfirmua veçmas edhe nga kryetari i komisionit të punëve të jashtme në parlamentin estonez, Marko Mihkelson.
Kryeministrja estoneze, Kristen Michal, raportohet se e ka konfirmuar lajmin në parlamentin estonez, duke thënë se rrëzimi i avionit tregon se “mendoj se ne ende mund t’i përballojmë gjërat”.
Rreth mesditës sipas kohës lokale, Estonia dhe Letonia lëshuan alarme për dronë për pjesë të territorit të tyre, por fatmirësisht nuk janë raportuar dëme apo viktima.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, Heorhii Tykhyi, tha se ekspertë nga Ukraina dhe Estonia po punonin për masa për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
“I kërkojmë ndjesë Estonisë dhe të gjithë miqve tanë baltikë për incidente të tilla të paqëllimshme. Ne kemi qenë dhe mbetemi në bashkëpunim të ngushtë përmes institucioneve tona të specializuara për të arritur në thelbin e çështjes në secilin rast dhe për të kërkuar mënyra për t’i parandaluar ato, duke përfshirë edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të grupeve tona të ekspertëve.”
Tykhyi pohoi gjithashtu se Rusia po i ridrejtonte qëllimisht dronët ukrainas në vendet baltike duke përdorur luftë elektronike. “Moska e bën këtë me qëllim, së bashku me propagandën e intensifikuar.”