Afrim Qëndro urdhëron trupat e IKMT-së të inspektojnë “kullat e arabit” në Durrës, RAPORTI: Dy godina banimi janë fundosur 46 cm, “Durrës Marina” i kërkohet të marrë urgjent masa përforcuese

Dy kulla banimi të projektit “Durrës Marina” në Portin e Durrësit, të cilat po ndërtohet nga biznesmeni i Emirateve Mohamed Alabbar, kanë pësuar fundosje totale rreth 46 centimetra. Kulla e parë 10 katëshe, ka pësuar fundosjen më të madhe, 28 centimetra, kurse kulla e dytë 8 katëshe, është fundosur 18 centimetra.
Me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT-së, u ngrit një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Grupi i kontrollit përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit (specialist të fushës).
Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se:
– Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm;
– Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.
Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.
Vijon…
Deklaratë datë 13 Maj 2026 – Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT)
Në përgjigje të raportimeve të publikuara javët e fundit në media mbi problematika që lidhen me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të projektit zhvillimor “Durrës Marina”, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) sqaron sa vijon:
Në zbatim të përcaktimeve ligjore dhe detyrave funksionale, me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT-së, u ngrit një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Grupi i kontrollit përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit (specialist të fushës).
Verifikimi u krye në lidhje me zbatimin e lejes së ndërtimit nr. 2349/12 prot., datë 10.09.2023, miratuar me Vendimin nr. 34, datë 01.08.2023, të KKT-së, për objektet: “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë” dhe “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë”, në zonat e menaxhimit A02 dhe A04, aktualisht në fazën ndërtimore të sistemimeve të jashtme.
Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se:
– Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm;
– Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.
Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.
Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.
Duke falënderuar median për bashkëpunimin dhe kontributin e saj, IKMT garanton se në kordinim me institucionet e tjera shtetërore sipas fushës së përgjegjësisë, mbetet maksimalisht e angazhuar dhe do të mbikëqyrë në vijimësi zbatimin e përcaktimeve ligjore në kantieret e ndërtimit.