Zbardhet VRASJA në Memaliaj: Endri Goxhaj qëlloi i pari Dali Nelën, “trafikanti” i njohur mori hak dhe e qëlloi për vdekje! Si ndodhi PËRPLASJA mes 7 të rinjve, vëllezërit Nelaj akoma në arrati (DINAMIKA E NGJARJES)

Janë vënë në pranga ditën e sotme 3 persona të cilët bashkëpunuan për vrasjen e Endri Goxhajt, e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, e cili rrodhi si pasojë i një konflikti të ashpër të ndodhur mes 7 personave.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë vënë në pranga shtetasit 47-vjeçari Aldo Kalemi dhe 25-vjeçari i plagosur Dali Nela. Ky i fundit mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme nga Endri Goxhaj, veprim i cili i kushtoi jetën këtij të fundit pasi u qëllua për vdekje nga Donald Nelaj dhe vëllai i tij, kushërinj të Dali Nelës.
“D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”” njofton Policia.
Në pranga gjithashtu është vënë dhe shtetasi me inciale E. M., 41 vjeç, banues në Memaliaj,i cili akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërsa vijon të mbetet akoma në arrati 29-vjeçari Donald Nelaj dhe vëllai i tij, shtetasi Marialdo Nelaj 28 vjeç, të cilët janë në kërkim pasi akuzohen për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Po ashtu bëhet me dije se ka nisur procedim penal për shtetasin J. K., 44 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”, si dhe për shtetasin G. Q., 49 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Kanosja”.
Hetimet e bëra në kuadër të ngjarjes së rëndë e cila mbrëmjen e djeshme tronditi Memaliajin, kanë nxjerrë në pah se janë konfliktuar në total 7 persona, më konkretisht shtetasit, D. N., M. N., D. N., A. K. dhe J. K., si dhe shtetasit G. Q. dhe E. G.
Gjatë konfliktit, dyshohet se Endri Goxhaj, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Dali Nelës (i arrestuar tashmë), i cili mbeti i plagosur dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
E për rrjedhojë, shtetasit Donald Nelaj dhe vëllai i tij M. N., 28 vjeç dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim Goxhajt , i cili dha frymën e fundit rrugës për në spital.
Që nga momenti i ngjarjes e deri më tani, Donald dhe Marialdo Nelaj janë akoma në arrati, ndërsa policia po vijon punën intensivisht për arrestimin e tyre.
Sakaq bëhet me dije se janë sekuestruar arma e zjarrit pistoletë (me fishek në fole, gati për qitje), me të cilën dyshohet se viktima Goxhaj pak minuta para se të vdiste, qëlloi në drejtim të Dali Nelës, 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhen rrethanat e ngjarjes, ndodhur mbrëmjen e datës 21.04.2026, në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri shtetasi E. G. dhe mbeti i plagosur shtetasi D. N.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, vijuan hetimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur mbrëmë, në Memaliaj.
Si rezultat i hetimeve, u vunë në pranga shtetasit:
D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
E. M., 41 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. N., 29 vjeç dhe vëllai i tij, shtetasi M. N., 28 vjeç, të dy për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin J. K., 44 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”, si dhe për shtetasin G. Q., 49 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Kanosja”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se mbrëmë ka patur një konflikt fizik të çastit, në të cilin janë përfshirë shtetasit D. N., M. N., D. N., A. K. dhe J. K., si dhe shtetasit G. Q. dhe E. G.
Gjatë konfliktit, dyshohet se shtetasi E. G. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit D. N. (i arrestuar tashmë), i cili mbeti i plagosur dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Më pas, 2 vëllezërit e shtetasit D. N. (2 shtetasit e shpallur në kërkim, D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç), dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit E. G. (i cili, si pasojë, ka humbur jetën gjatë transportimit në spital).
Të dy këta shtetas janë larguar menjëherë me automjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale: arma e zjarrit pistoletë (me fishek në fole, gati për qitje), me të cilën dyshohet se shtetasi E. G. (i cili më pas humbi jetën) plagosi shtetasin D. N., 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.