VIDEO/”P… Meloni”, gazetari rus Vladimir Solovyov “nuk la fjalë pa sharë” kryeministren italiane, tronditen marrëdhëniet mes Romës dhe Moskës

Sulmi i ashpër i gazetarit rus Vladimir Solovyov ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni ka rritur tensionet diplomatike mes Romës dhe Moskës.

Gjatë programit të tij televiziv “Polnyj Kontakt”, i transmetuar nga mediat pro-qeveritare në Rusi, Solovyov përdori fyerje të rënda dhe seksiste ndaj Melonit, duke e quajtur “fashiste”, “turp për racën njerëzore” dhe duke shtuar epitetin vulgar “p… Meloni”. Ai e akuzoi gjithashtu për “tradhti” ndaj Trumpit dhe BE-së, duke e paraqitur si një politikane që ka braktisur premtimet e saj.

Reagimi i Italisë ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani thirri ambasadorin rus Alexey Paramonov për një protestë zyrtare, duke i cilësuar deklaratat si “jashtëzakonisht serioze dhe fyese”. Presidenti Sergio Mattarella i dërgoi kryeministres një mesazh solidariteti, ndërsa ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto e quajti sulmin “vulgar dhe të papranueshëm”, duke kërkuar që ambasada ruse të distancohej nga fjalët e Solovyov.

Mbështetje për Melonin erdhi nga të gjitha krahët politikë. Presidenti i Senatit Ignazio La Russa, kryetari i Dhomës Lorenzo Fontana, si dhe liderë të shumicës dhe opozitës, nga Matteo Salvini e Giovanni Donzelli, te Elly Schlein, Giuseppe Conte dhe Matteo Renzi, dënuan gjuhën e përdorur dhe shprehën solidaritet me kryeministren. “Është një fyerje për të gjithë vendin”, u shprehën disa prej tyre, duke theksuar se Italia nuk do të frikësohet nga provokime të tilla.

Solovyov, i njohur si një nga propagandistët më të zellshëm të Kremlinit, ka një histori të gjatë sulmesh ndaj liderëve perëndimorë dhe institucioneve europiane. Ai ka qenë për vite me radhë figurë kryesore në televizionin shtetëror rus, shpesh duke përdorur gjuhë kërcënuese dhe vulgare. Për më tepër, ai ka lidhje personale me Italinë, ku ka pasur prona të sekuestruara nga autoritetet, dhe që prej vitit 2022 ndodhet nën sanksione nga BE, SHBA, Kanadaja dhe Britania e Madhe.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT