SKANDAL te Mjekësia, studentët nuk kanë marrë ende BURSAT! Hallkat e institucionit kalojnë “fajin” te njëra-tjetra: Duhet firma për punën e detyruar 3 vite

Pavarësisht faktit që tashmë janë bërë plot 6 muaj që prej fillimit të vitit akademik, bursat për studentët e ekselencës dhe atyre të kategorive të tjera në Universitetin e Mjeksisë nuk janë marrë ende.
Për këtë situatë të paprecedentë kanë ngritur shqetësimin qindra studentë të fakulteteve të këtij universiteti, atij të mjekësisë, fakultetit të “Shkencave Mjekësore Teknike” dhe i “Mjekësisë Dentare”.
Të gjitha universitetet e tjera kanë shpërndarë tashmë këstin e parë të bursës, i cili zakonish merret me disa muaj së bashku përgjatë periudhës janar-shkurt, ndërkohë “Mjekësia” ende nuk ka bërë publike listat. Prindi i një studenti ekselent në Universitetin e Mjekësisë ka denoncuar në emisiononin Stop mosshpërndarjen e bursave.
Ndërkohë sipas VKM-së 903, studentët me mesatare 9-10, përfitojnë një shumë prej 10 000 lekë të reja (100 mijë të vjetra) në muaj, megjithëkëtë sipas ekspertëve, në aspektin ligjor në këtë rast Universiteti i Mjekësisë kanë vepruar arbitrarisht duke mos e ndjekur, dhe kjo përbën shkelje të ligjit.
Kjo pasi sipas informacioneve të dhëna nga Ministria e Arsimit fondet e bursave kanë kaluar në të gjitha universitetet. Financa “e hedh topin” nga sekretaria teksa thotë se presin prej tyre listat për me frekuentimet. Kurse sekretaria pohon se emrat kanë shkuar por nuk jep asnjë informacion më tepër për atë që është duke ndodhur, “duke e pasuar topin” te departamentet prej të cilëve supozohet të marrin frekuentimet.
E teksa hallkat e institucionit kalojnë “fajin” sa te njëri te tjetri, rreth 500 studentë, për të cilët 100 mijë lekë-shi i bursës është jetik, kanë pretenduar se arsyeja përse nuk po marrin bursat është sepse po u kërkohet të nënëshkruajnë kontrata për punë të detyruar pas studimeve, e në rast se nuk e bëjnë nuk marrin bursa. Kjo deklaratë nuk është e konfirmuar në rrugë zyrtare, por nëse është e vërtetë sipas avokatëve Klaudi Zholi dhe Adriana Kalaja, ky kushtëzim përbën shkelje ligjore, pasi bursa e ekselencës nuk mund të lidhet me detyrimin për punësim.
(Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) numëron rreth 8,338 studentë. Ky numër përfshin studentët e regjistruar në të tre ciklet e studimit (Bachelor, Master i Shkencave/Profesional, dhe Doktoratë) në të gjitha fakultetet e tij, sipas të dhënave të marra në rrugë jozyrtare.)
Më poshtë mund të lexoni bisedën e regjistruar nga denoncuesja me Financën dhe Sekretarinë e Universitetit, të publikuar në emisionin STOP:
Qytetarja – Të lutem për këto bursat e ekselencës! Ça është bërë?
Financa – Bursat e ekselencës?
Qytetarja – Po!
Financa – Asnjë nuk ka marrë bursë. Asnjë nga studentët nuk ka marrë bursë.
Qytetarja – Që s’ka marrë njeri, këtë e kam marr vesh unë, po ngaqë universitetet e tjera i kanë shpërndarë bursat.
Financa – Ok, pra…!
Qytetarja – Ndërsa këtu s’kanë dalë akoma emrat.
Financa – S’kanë dalë akoma, nuk kanë dalë. Nuk kanë dalë frekuentimet, nuk kanë dalë… Ti je studente?
Qytetarja – Kam djalin.
Financa – Atëherë, nuk kanë dalë akoma.
Qytetarja –Pse?
Financa – Sepse nuk kanë ardhur frekuentimet, presim. Do dalin nga prilli. Patjetër, që të gjithë këto muajt, domethënë, do merren dhe do merren njëherësh. Neve tani na ka ardhur lista… Ok! Ju jeni ekselencë, po ka edhe studentë, që janë me kriter, për shembull me prind në nevojë, ky lloj. Me ndihmë ekonomike, apo jo dhe neve, para pak shumë pak ditësh, domthënë para 2-3 ditësh, ka dalë vendimi i bordit njëherë. Ndërkohë, duhet të vijë edhe frekuentimi nga sekretaria, pastaj të japim bursat ne.
Qytetarja – Po pse me kaq vonesë pra këtu? Këtë po them.
Financa – Nuk është në dorën tonë fare. Ne jemi hallka e fundit fare, që do japim lekët.
Financa – Arsyeja, pse s’ka dalë, sepse sapo u miratua buxheti dhe kemi dhe ne procedurat tona deri në momentin e përfundimit. Ok?
Sekretaria
Qytetarja – Isha te financa. Te financa thonë, që nuk kanë ardhur frekuentimet. Nuk i ka dërguar sekretaria.
Sekretaria – Ne, frekuentimet, i marrim nga Departamentet si rregull.
Qytetarja – Te të gjithë universitetet e tjera janë shpërndarë bursat, ndërkohë këtu nuk kanë dalë akoma emrat.
Sekretaria – Emrat erdhën dje. Unë isha në protokoll dje, të gjitha kanë ardhë nga protokolli, emrat, që janë miratuar. Vijnë, t’i sjellin departamentet, frekuentimet te ne dhe ne ia përcjellim financës.
Qytetarja – Atëherë duhet të shkojë të Dep… Ku të shkoj tjetër të pyes?
Sekretaria – Asnjë gjë. Ne thjesht do na vijnë ato frekuentimet edhe do ia përcjellim.