Shteti në heshtje për monopatinat, Erald Kapri sfidon “sy më sy” ministrin Lamallari dhe ua nxjerr bisedat e “dhomës së errët”: Jepini përgjigje qytetarëve…

Ditën e sotme në seancën e radhës në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti i Partisë Mundësia Erlad Kapri, risolli në vëmendje një nga shqetësimet e vazhdueshme të qytetarëve, ndalimin e monopatinave elektrike.

Kjo çështje është njoftuar muaj më parë edhe nga ish-ministrja e Brendshme, tashmë zëvendëskryeministre, Albana Koçiu, e cila kishte deklaruar se qeveria do të ndërmerrte masa për të parandaluar aksidentet dhe për të rregulluar përdorimin e këtyre mjeteve në përputhje me ligjin. Megjithatë, pas muajsh të tërë, ende nuk ka një kuadër të qartë ligjor për qarkullimin e tyre.

Në këtë kontekst, Kapri i kërkoi shpjegime ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, duke e cilësuar vendimin për ndalimin e monopatinave si antikushtetues dhe të padrejtë ndaj qytetarëve, veçanërisht të rinjve.

Ai ngriti shqetësime për mënyrën e zbatimit të masës nga policia, duke pretenduar për konfiskime të mjeteve pa dokumentacion dhe trajtim të ashpër ndaj përdoruesve, përfshirë edhe raste të të miturve.

“U bënë 6 muaj që është marrë një vendim antikushtetues. Pra ju keni vendosur që të gjithë shqiptarët që qarkullojnë me mjete elektrike duhet të ndalohen dhe t’u bllokohen mjetet, madje keni treguar si polici një zell të tepëruar duke konfiskuar me mijëra monopatina dhe mjete elektrike nëpër komisariatet tuaja dhe pa procesverbale. Keni shkuar deri aty sa një nënë më ka shkruar se si djali i saj i mitur, të cilit i kishin blerë një motor për të shkuar në shkollë, policia ia mori motorin bashkë me të dhe e kanë çuar në komisariat, e kanë mbajtur disa orë pa psikolog dhe nuk i kanë dhënë një letër për pronën e tij”, tha Kapri.

Ndëkrohë që nga ana tjetër ministri Lamallari mbrojti këtë vendim të marrë nga paraardhësja e tij, duek argumentuar se ai ka sjellë një ulje drastike të aksidenteve rrugore të lidhura me monopatinat. Sipas tij, nga mijëra raste të raportuara në vitet e mëparshme, pas ndalimit numri i incidenteve është reduktuar në minimum, çka sipas tij justifikon ndërhyrjen e ndërmarrë.

Ndër të tjera ministri i solli Kaprit shembuj nga vendet e tjera të BE-së, ndërkohë që ky i fundit e sfidoi duke ia bërë të qartë se vendet për të cilat Lamalllari po flet janë ndërmarrë masa dhe janë vendosur ligje, dhe nuk ka pasur bllokim të këtyre mjeteve.

Deputeti ngriti dyshime për investime “sekrete” sa i përket monipatinave. “Sipas një projekti që qarkullon në zyrat tuaja të errëta, importimi i këtyre mjeteve do të jetë njësoj sikur të importoni një makinë. Çështja ka shkuar në Kushtetuese dhe do të dështoni me turp”, theksoi Kapri.

Erlad Kapri: U bënë 6 muaj që është marrë një vendim antikushtetues. Pra ju keni vendosur që të gjithë shqiptarët që qarkullojnë me mjete elektrike duhet të ndalohen dhe t’u bllokohen mjetet, madje keni treguar si polici një zell të tepëruar duke konfiskuar me mijëra monopatina dhe mjete elektrike nëpër komisariatet tuaja dhe pa procesverbale. Keni shkuar deri aty sa një nënë më ka shkruar se si djali i saj i mitur, të cilit i kishin blerë një motor për të shkuar në shkollë, policia ia mori motorin bashkë me të dhe e kanë çuar në komisariat, e kanë mbajtur disa orë pa psikolog dhe nuk i kanë dhënë një letër për pronën e tij. Kjo tregon modelin tuaj, ndaj këtyre të rinjve të cilët janë model që shkojnë në punë me mjete elektrike që i kanë blerë me kredi, që sakrifikojnë shumë, që i bëjnë një shërbim vendit, pasi një monopatinë i thonë një makinë më pak. Edhe kur çmimi është rritur ju vetëm ia vështirësoni jetën, keni humbur çdo lidhje me realitetin, i trajtoni si kriminelë. Policët gjëmojnë adoleshentët sikur janë shpërndarës kokaine. Ndërkohë që me të fortët jeni kokulur. Dilni këtu te parlamenti gjysmë ore, shikoni dhe do kalojnë dhjetëra makina luksoze, më thoni sa keni ndaluar me ligjin tuaj antimafia? Ju tregoheni të zellshëm ndaj të pamundurve, ndërsa ndaj të fortëve rrini kokulur. Ende nuk po i jepni zgjidhje, heshtni sepse po përgatitet një tjetër projekt për oligarkun e radhës si ta kapë këtë treg në rritje.

Lamallari: Ka parandaluar rreziqe reale ndaj jetës. Ka qenë vendim i drejtë dhe i duhur. Sa i përket shifrave të cilat kanë çuar në një vendimmarrje të tillë, në vitin 2023 janë evidentuar plot 5887 aksidente nga monopatinat, në 2024 991 raste aksidente, në vitin 2025 ky numër ka shkuar në 887. Është e qartë që ka pasur një trend në rritje nga viti në vit, duke rrezikuar jo vetëm jetën e përdoruesve, pasi shpesh herë janë nën moshën ligjore për të drejtuar një mjet elektrik, por situata ndryshoi pas këtij vendimi që u mor nga ana jonë. Sipas udhëzimit përkatës ku u ndalua përdorimi i monopatinave, që nga momenti i miratimit janë raportuar vetëm 6 raste. Imagjino, nga 1000 raste aksidente deri në 6 raste. Kemi një ulje në minimum absolut. Monopatinat nuk janë lodra, nuk bëhen objektiv për të përfituar politikisht. Sa i përket dokumenteve, nga 1350 rezultojnë pa dokument pronësie. Megjithatë është mirë të hedhim sytë edhe nga vendet e BE-së. Por sigurisht diferenca është që ata e kanë trajtuar pa pasur përfitime politike. Çfarë ndodh në Itali, Spanjë, Danimarkë, Berlin? Pikërisht në këto vende janë marrë masa të ndryshme lidhur me kufizimet sa i përket përdorimit të këtyre mjeteve, ku më i famshmi është rasti i Parisit i cili i ndaloi në 2023. Nuk është një masë antiligjore, por një rregull për shmangien e kaosit në rrugë.

Erald Kapri: Kjo mungesë ndjeshmërie nuk ju nderon aspak. Thatë që ndaluam monopatinat, nuk ka aksidente; ndaloni edhe qarkullimin e automjeteve dhe biçikletave dhe jam i bindur që nuk do ketë aksidente. Kjo është çështje lirie. Ju ia keni sekuestruar dhe i thoni na sillni faturën. Është si të mbash faturën e telefonit në xhep gjatë gjithë kohës. Përmendët rastin e Parisit. Unë të sfidoj, gjej një vend europian, të cilët thonë që qarkullojnë si biçikletat dhe jo më shumë se 25 kilometra në orë. Sipas një projekti që qarkullon në zyrat tuaja të errëta, importimi i këtyre mjeteve do të jetë njësoj sikur të importoni një makinë. Çështja ka shkuar në Kushtetuese dhe do të dështoni me turp.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT