Sali Berisha “trim” i vetëm në “luftë”?! Lideri i së djathtës i vetmi kandidat në garë për kryetar, rivalët edhe 24 orë kohë për të kandiduar, PD njofton mbajtjen e Kuvendit Kombëtar

Teksa nesër në mesditë përfundon afati për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të garojnë me kryetarin aktual të së djathtës shqiptare, asnjë kandidaturë tjetër përveç Sali Berishës nuk është paraqitur.

Ndonëse gjatë javëve të fundit kanë qarkulluar disa emra që kanë shprehur ambicien për të kandiduar për postin e kryetarit të partisë më të madhe opozitare në vend, askush prej tyre nuk ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën. Kjo lidhet edhe me disa kritere të përcaktuara në statutin e Partisë Demokratike, të cilat kufizojnë pjesëmarrjen në garë.

Ervin Salianji dhe Alesia Balliu rezultojnë të përjashtuar nga strukturat e kësaj force politike, ose siç është shprehur vetë lideri i PD-së, “të vetëpërjashtuar”, çka i pamundëson ata të kandidojnë për postin e kryetarit. Ndërkohë, enigmatike mbetet mungesa e Evi Kokalari, e cila për disa ditë me radhë paralajmëroi në rrjetet sociale se do të përballej me Berishën në këtë garë, por nuk ka formalizuar kandidaturën.

Afati për dorëzimin e dokumentacionit përfundon në orën 12:00 të datës 30 prill, sipas udhëzimit të Partisë Demokratike të datës 18 mars. Ndërkohë, që më 17 mars kryesia e PD vendosi që zgjedhjet për kryetarin e ri të zhvillohen më 23 maj.

Sakaq Newsbomb mëson se dy kandidatë janë duke bërë gati dokumentat me qëllim për të shfrytëzuar orët e fundit që u kanë mbetur për të kandiuar për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.

Berisha mbetet figura dominuese e Partisë Demokratike që prej themelimit të saj në dhjetor të vitit 1990. Ai u zgjodh kryetar për herë të parë në vitin 1991, ndërsa në vitin 1992 mori detyrën e Presidentit të Shqipërisë. Pas rikthimit në krye të PD në vitin 1997, ai e drejtoi partinë deri në vitin 2013, kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.

Në shtator të vitit 2021, Berisha nisi lëvizjen “Foltorja”, pasi Lulzim Basha, asokohe kryetar i PD, e përjashtoi nga grupi parlamentar. Në dhjetor të po atij viti, demokratët votuan për shkarkimin e Bashës, ndërsa më 22 maj 2022, Berisha u rikthye zyrtarisht në krye të partisë.

E në këtë valë zhvillimesh, Partia Demokratike ka njoftuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar më 30 maj 2026, në orën 11:00.

Në qendër të diskutimeve pritet të jetë edhe përcaktimi i vijës së aksionit politik të Partisë Demokratike për periudhën në vijim. Gjithashtu, do të prezantohen propozime për ndryshime statutore, si dhe platforma që lidhen me dixhitalizimin dhe modernizimin e partisë.

Një tjetër element i rëndësishëm i axhendës do të jetë organizimi i strukturave të PD-së në diasporë, ndërsa gjatë punimeve të Kuvendit pritet të zgjidhen edhe anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

“Vendimi për thirrjen e Kuvendit është marrë në mbështetje të Statutit të partisë dhe parashikon diskutime mbi situatën politike në vend, sfidat e integrimit evropian, si dhe çështje që lidhen me funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Në fokus do të jetë edhe përcaktimi i vijës së aksionit politik të PD-së, ndërsa pritet prezantimi i ndryshimeve statutore nga grupet e punës përkatëse.

Në axhendë përfshihen platforma për dixhitalizimin dhe modernizimin e partisë, si dhe organizimi i strukturave të saj në diasporë. Gjatë këtij Kuvendi do të zgjidhen dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e bërë nga Partia Demokratike.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT