“Rruga e Arbërit është vepra e Shqipërisë!” Kryeministri Rama i përgjigjet akuzave të opozitës: Ndihem keq, ata janë verbuar nga suksesi ynë!

Pas takimit të zhvilluar me fermerët dibranë, kryeministri Rama ditën e sotme vijoi takimet me banorët e zonës në fokus të të cilave ishte anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe sfidat e angazhimet që duhen ndërmarrë në mënyrë që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt.

“Punët e Shqipërisë po shkojnë në drejtimin e duhur dhe po fillojnë të japin gjithmonë e më shumë rezultate. Misioni ynë kombëtar për ta çuar Shqipërinë dhe për ta ulur në tryezën e përbashkët të Evropës është sot në fazën e vet finale. Kjo është një fazë e vështirë, kërkon angazhim të madh, kuptim të drejtë se çfarë na pret. Vetëm PS mund ta kryejë këtë mision kombëtar”, tha Rama.

Më tej Rama ceku dhe zhvillimin e qytetit të Dibrës ndër vite, duke theksuar se kjo zonë sot qëndron më mirë se më parë, me një rritje të interesit për investime. Ndërsa nënvizoi dhe të mirat e rrugës së Arbrit të cilën e cilësoi si një vepër të Shqipërisë.

“Fatmirësisht, Rruga e Arbrit tani nuk është më as premtim, është vepër që i takon mandatit që lamë pas, por ama sot janë frutat e para të rrugës që po fillojnë të dalin e të preken. Pasuria e patundshme e banorëve, trashëgimtarëve të kësaj zone, është rritur në vlerë tokash; metri katror dhe kërkesat për të ndërtuar në Peshkopi dhe në këtë territor, që deri dje ishin minimale, sot janë rritur.

Kushtet për të sjellë më shumë investime nga fitimet dhe kursimet e djemve dhe vajzave në emigracion janë më të mira se kurrë. Kam besim që këto vite do të jenë vite të një rilindjeje tjetër të kësaj zone edhe në aspektin e ripërtëritjes sa i përket popullsisë. Një tendencë që ka filluar: në Berat janë regjistruar më shumë kthime sesa largime, tendencë që do të shfaqet edhe këtu. Dibra është shumë afër kryeqytetit, jastëku i gjelbër i kryeqytetit”, tha Rama.

Në përmbyllje të reagimit të tij Rama komentoi dhe akuzat e vazhdueshme të ngritura nga opozita e cila pretendon se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një gënjeshtër, të cilat i cilësoi si të verbuar nga suksesi i Partisë Socialiste dhe pamundësia për ta mundur atë.

“Nuk na mundin dot. Kjo gjë i çon në verbëri. I çon në pikën që t’i turren vendit të vet, jo neve. Më ndodh dhe nuk di çfarë të them, ndihem keq pavarësisht se nuk më drejtohet mua. Kur miqtë e huaj më thonë si ka mundësi që vijnë nga Shqipëria njerëz që përfaqësojnë popullin shqiptar dhe nuk lënë gjë pa thënë dhe nuk ndalen së kërkuari nga ne që të bllokojmë Shqipërinë. Ka pasur situata të rënda edhe në Maqedoninë e Veriut, por nuk ka bërë vaki që opozita maqedonase të shkojë në Bruksel, Berlin e Romë dhe të mos lërë shpifje e energji negative pa mbledhur për t’i hedhur në çdo vend ku hapet dera për të dëgjuar se çfarë po thonë”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT