Rama falenderon diplomaten amerikane në Greqi: Na ke bërë të mos ndihemi jetimë sepse nuk kemi ambasadore në Tiranë, Vlora siguroi një investim të jashtëzakonshëm

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ambasadoren amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, për ndërmjetësimin që ajo i ka bërë marrëveshjes mes Shqipërisë, Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për furnizimin e Europës me gaz të lëngshëm.
Sipas tij, Shqipëria prej kohësh tashmë, nuk ka një ambasador të akredituar në Tiranë, por vepron përmes Të Ngarkuarës me Punë. Ai theksoi se falë ndërmjetësimit të Guilfoyle dhe stafeve përkatëse, Vlora do të do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Europën Juglindore.
“Vijmë te personi të cilit i detyrohem një shprehje mjaft të thellë mirënjohje, ambasadores Guilfoyle, ajo ka meritën të na bëjë të mos ndihemi jetimë, sepse pas një kohe të gjatë nuk kemi ambasador këtu. Falë jush kemi një aleat shumë të fortë që shërben në Greqi, por është më ambicioze se kufiri grek.
Menjëherë pas bisedës sonë me njerëzit përkatës në Uashington, kemi sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjell një investim të madh. Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Europën Juglindore.
Partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA, përçon sot një mesazh të qartë: Edhe vendet e vogla mund të marrin hapa të guximshëm. Edhe më shumë se kaq, mesazhi i sotëm nuk mund të jetë më i qartë kur vjen fjala për të lidhur nevojën jetike për energji me nevojën jetike për liri”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Ai e vuri theksin edhe tek Qendra e Energjisë që do të ngrihet në Vlorë, duke bërë një krahasim të asaj që pritet, situatës aktuale dhe atë që ka kaluar Shqipëria nën drejtimin e qeverive të mëparshme për furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike.
“Ka qenë dikur njëherë e një kohë, një moment në jetën tonë, kur energjia ishte thjeshtë çështje furnizimi për të mbajtur dritat ndezur sa më gjatë të ishte e mundur në 24 orë. Nga ana tjetër, jetojmë në një vend ku deri një dekadë më parë, gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër. E gjithë energjia e prodhuar nga sistemi ynë ishte e keqmenaxhuar.
Kompania jonë e shpërndarjes ishte në prag falimenti dhe mbahej nga buxheti i shtetit. Sot është krejt ndryshe, energjia përfaqëson sigurinë tonë, ambicien tonë për vendin që zëmë në rajon dhe Europë”, përmbylli kryeministri Edi Rama.
Bëhet fjalë për një marrëveshje 20 vjeçare në fushën që synon furnizimin e Europës me gaz të lëngshëm nga SHBA-të, e cila parashikon krijimin e infrastrukturës së nevojshme në Vlorë për importin e gazit i cili do të importohet nga Amerika me anije dhe përmes procesit të rigazifikimit të kthehet në gaz të lëngshëm.
Qeveria parashikon po ashtu që të rijetëzojë qendrën e energjisë në Vlorë, me shndërrimin e termocentralit ekzistues me kapacitet të ri gjenerues prej afërsisht 250 MW. Parashikohet edhe ndërtimi i tubacionit Fier-Vlorë, duke e lidhur këtë qendër me rrjetin kombëtar dhe rajonal të transmetimit të gazit.