“Plehrat janë sheshit, shkollat pa drekë, asnjë kopsht i ri”, Veliaj flet për katandisjen e Tiranës, dje edhe Braçe pohoi se kryeqyteti as qeveriset e as vetëqeveriset

Kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj, është shprehur sot në sallën e gjyqit se prej arrestimit të tij, më shumë se 13 muaj më parë, Tirana është katandisur në gjendje të mjerueshme, pasi është mbushur me plehra dhe buxheti është djegur pasi askush nuk firmos.

Ai ka theksuar se që nga inagurimi i një kopshti në Kashar ditën që është arrestuar, në Shkurt 2025, në Tiranë nuk është hapur me asnjë kopsht dhe shkollat publike janë pa drekë, duke prekur rreth 170 mijë fëmijë.

“Në Bashkinë e Tiranës, sot plehrat janë sheshit, ditën që jam arrestuar kam inauguruar një kopsht në Kashar, janë 14 muaj që s’është hapur një kopsht. Nuk firmos më njeri. Dreka në shkolla impakton 170 mijë fëmijë në Tiranë por kanë ngelur pa drekë, sepse nuk firmos më njëri, nga pastrimi tek çerdhet dhe kopshtet, e shkollat, askush nuk firmos”, është shprehur kryebashkiaku Erion Veliaj.

Këtë situatë në Tiranë e ka pohuar dje dhe socialisti Erion Braçe, i cili është përditë në territor dhe publikon shpesh pamje nga koshat e tejmbushur të mbeturinave dhe trotuaret e zëna nga mbetjet.

Ai ka shprehur publikisht vendimin për të garuar për kryebashkiak të Tiranës dhe mbrëmjen e djeshme i ftuar në emisionin e Grida Dumës, tha se nëse zgjidhet i pari i kryeqytetit, nuk do të jetë kukulla e radhës, por një kryetar që do të kërkojë pushtet dhe standarde.

“Tirana ka një problem shumë të madh nuk vetëqeveriset dhe as nuk qeveriset. Nuk me intereson ndarja territoriale, nuk më intereson pushteti real i vendoreve. Sot që flasim nuk është kjo. Unë mendoj që është çështje standardesh. Kërkoj standard të ri në këtë qytet”, u shpreh dje Erion Braçe.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT