Përplasje të forta te gjyqi për Veliajn! Ols Dado i kthehet Maks Haxhias: O zotëri, nuk urdhëron ti këtu; Plarent Ndreca kërkon kohë: Mungojnë fashikuj, procesi në rrezik

Me debate dhe tensione, u zhvillua seanca e radhës për dosjen “Veliaj”, ku u diskutua mbi mungesën e disa avokatëve dhe problemet me qasjen në dosjen hetimore.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë kësaj seance, gardianit Fation Baci iu caktua si avokate kryesore Pranvera Doci, pasi avokati i tij nuk ishte i pranishëm në seancën e 1 prillit. Ky vendim shkaktoi debate në sallë, veçanërisht nga avokati i të pandehurës Ajola Xoxës, Maks Haxhia, i cili kritikon mënyrën e zhvillimit të procesit.
“Jam legjitimuar të ndjek ligjin. Avokatët që keni caktuar kryesisht janë njohur me dosjen hetimore apo jo? Pra, përfaqësuesja ligjore Pranvera Doci e caktuar kryesisht për Fatjon Bacin. Duam të bëjmë proces, jo sa për të pasur një avokat. Të lutem, prokuror, të mbaroj unë, sepse po bëhet qesharak procesi”, mësohet të ketë thënë ai ndërkohë që është përplasur me prokurorin Ols Dado, ku ky i fundit i kërkoi Haxhias që të mbajë pozicionin e tij dhe se nuk është në kompetencat e tija për të folur lidhur me këtë zhvillim.
“Nuk je kryetar i dhomës, zotëri. Je avokat i të pandehurit. Ti urdhëron këtu të flas apo nuk flas unë?”, mësohet t’i ketë thënë Dado.
Ndërkohë nga ana tjetër, avokati i kryebashkiakut Erion Veliajt, Plarent Ndreca, u shpreh se dosja e plotë hetimore prej 60 mijë faqesh ende nuk i është vënë në dispozicion në formë elektronike, ndërkohë që mungonin 24 fashikuj, nga numri 142 deri në 166. Ai paralajmëroi se kjo situatë rrezikonte përplasjen e procesit me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Jeni ju ata që vendosni. Të gjithë çka janë këtu janë për shkak të gjyqit të Erion Veliaj. Dhe cilësitë e një avokati nuk mund të ndalen nëse shikohet një problematikë. Ju kam kërkuar orare se kur unë të vij në gjykatë dhe të konsultohem me dosjen. Më 26/03 kam filluar studimin e dosjes dhe më është thënë se do të vijnë elektronike.
Unë kam qenë fizikisht në gjykatë për të fituar kohë dhe për të lexuar 60 mijë faqe dhe 1 mijë e më shumë prova. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166. Dua të shqyrtoj se çfarë mungon nga kjo dosje. Rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane”, tha Ndreca.
Ndërsa avokati i ish-deputetes Klotilda Bushkës ka kërkuar që çështja në ngarkim të klientes të tij t’i kalojë Gjykatës së Tiranës, pasi ajo nuk është më pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.
Sakaq mësohet se gjatë seancës së sotme avokatja e biznesmenit, Elman Abule, Romina Zano kërkoi ndarjen e çështjes së klientit të saj nga pjesa tjetër e dosjes “Veliaj”, duke argumentuar se veprat penale për të cilat akuzohet ai nuk janë kompetencë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ajo gjithashtu mësohet që të ketë kërkuar gjykim të shkurtuar për klientin e saj.
“Kemi kërkuar ndarje të çështjes dhe gjykim të shkurtuar për klientin tim, Elman Abule. Arsyeja pse kërkojmë ndarjen lidhet me shkaqet procedurale. Ndodhemi në fazë shqyrtimi gjyqësor dhe vlerësojmë se mbajtja e procedimit të përbashkët do të cënonte qartësinë e procesit për klientin tim.
Vepra penale për të cilën akuzohet Elman Abule lidhet me një gjykatë të një juridiksioni tjetër dhe jo të Gjykatës së Posaçme. Pra, ndryshe, kompetenca lëndore duhet të kalojë në një gjykatë tjetër. Faktet për Elman Abulen janë të pavarura nga të pandehurit e tjerë”, mësohet të ketë thënë Zano.