Përplasje në Kremlin: Kirienko dhe Belousov në konflikt për listat e Duma-s

Në Moskë raportohet një përplasje e re brenda rrethit të ngushtë të pushtetit të Vladimir Putin, ku dy figura të rëndësishme të administratës së Kremlinit janë përfshirë në një konflikt për kontrollin e listave zgjedhore për Duma-n.

Bëhet fjalë për Sergei Kirienko, një nga njerëzit më të afërt të presidentit dhe strateg kryesor elektoral i sistemit politik rus, dhe ministrin e Mbrojtjes Andrej Belousov, i cili konsiderohet si një figurë në rritje e ultranacionalizmit dhe e rrethit ushtarak.

Sipas raportimeve të gazetarit dhe autorit disident Mikhail Zygar, tensioni ka shpërthyer kur u diskutua për përfshirjen e veteranëve të luftës në Ukrainë në listat e partisë “Rusia e Bashkuar”. Putin kishte premtuar që rreth 150 veteranë do të përfshiheshin në këto lista si një formë shpërblimi politik për shërbimin e tyre në front. Megjithatë, kur Kirienko paraqiti listën e përgatitur, Belousov ka kundërshtuar ashpër, duke pretenduar se shumë prej emrave nuk ishin luftëtarë të vërtetë, por burokratë që kishin kaluar vetëm pak kohë në ushtri.

Belousov ka kërkuar që ai vetë të ketë kontrollin mbi përzgjedhjen e veteranëve që do të hyjnë në parlament, por Kirienko është kundërpërgjigjur duke argumentuar se futja e figurave ushtarake në politikë mund të krijojë rrezik të humbjes së kontrollit mbi sistemin, duke përmendur si shembull rastin e rebelimit të grupit Wagner dhe të Prigozhin në vitin 2023.

Ky konflikt shihet si i pazakontë për strukturën e pushtetit në Rusi, ku zakonisht vendimet politike merren në mënyrë të centralizuar dhe të kontrolluar nga vetë presidenti Vladimir Putin. Tensioni mes dy zyrtarëve pasqyron gjithashtu balancën e brishtë midis aparatit politik dhe atij ushtarak, në një kohë kur lufta në Ukrainë ka rritur ndikimin e figurave të lidhura me frontin.

Nga njëra anë, Kirienko përfaqëson logjikën e kontrollit politik dhe manipulimit elektoral, ndërsa nga ana tjetër Belousov po fiton popullaritet si një figurë e ashpër, e lidhur me ushtrinë dhe me narrativën patriotike dhe fetare. Kjo e bën atë të mbështetur edhe nga disa struktura të Kishës Ortodokse, e cila mbetet një shtyllë e rëndësishme e legjitimitetit të pushtetit në Rusi.

Situata krijon një dilemë për Putin: nëse mbështet Kirienkon, rrezikon të zhgënjejë strukturat ushtarake dhe veteranët e luftës; nëse mbështet Belousovin, mund të dobësojë kontrollin e procesit elektoral dhe të rrisë ndikimin e aktorëve të paparashikueshëm brenda sistemit.

Ky konflikt duket se tregon një rritje të tensioneve të brendshme në Kremlin, ku mungesa e opozitës së jashtme ka bërë që rivalitetet të zhvendosen brenda vetë elitës qeverisëse. Kjo shihet si një shenjë e nervozizmit politik në Moskë, në një periudhë kur pushteti përpiqet të ruajë stabilitetin mes luftës, sanksioneve dhe presioneve të brendshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT